Në kuadër të prezantimit të botimeve periodike të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ndalesa e radhës e përfaqësuesve të këtij institucioni ka qenë Universiteti Bedër.
Paraditen e së mërkurës (29 Maj 2013), drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median në KMSH, z. Agron Hoxha, zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave Islame pranë Universitetit Bedër, rreth botimeve periodike të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Z. Hoxha foli mbi rolin dhe rëndësinë që ka shtypi islam në informimin e besimtarëve por jo vetëm, pasi siç tha ai njeriu, pavarësisht bindjeve të tij, në çdo gjendje dhe në çdo kohë ka nevojë për të mbushur zbrazëtirën shpirtërore e tij si qenie humane e sociale.
“Në garën e jashtëzakonshme të informimit të publikut, ne nuk synojmë të konkurrojmë me ndonjë media tjetër, por ne synojmë të mbushim atë boshllëk që ekziston në këtë pjesë të shtypit dhe t’i përgjigjemi besimtarëve me tema aktuale të kohës konform parimeve të fesë islame”, theksoi z. Hoxha.
Më pas ai bëri një prezantim të revistës “Drita Islame”, si një revistë e vetme e këtij lloji fetare e sociale, organ zyrtari i KMSH-së e cila del prej dy vjetësh në vazhdim të gazetës me të njëjtin emër, që ka filluar botimin e saj që në janar 1991. Më pas u fol edhe mbi revistën shkencore “Zani i Naltë”, e cila i është rikthyer botimit pas 79 vjetësh, si një tribunë e mendimit shkencor islam.
Studentët nga ana e tyre iu përgjigjën ftesës së z. Hoxha lidhur me angazhimin e tyre në këto organe përmes shkrimeve dhe përkthimeve nga gjuhë të ndryshme. Ata dhanë sugjerimet e tyre në favor të përmirësimit të mëtejshëm të këtyre organeve mediatike.
Në këtë aktivitet u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër mbi rolin dhe kontributin e tij të gjithanshëm të Komunitetit Mysliman gjatë 90 viteve.