Ditën e hënë, datë 28 janar 2013, në ambientet e Medresesë së Tiranës u zhvillua një aktivitet prezantues i revistës “Drita Islame”, organ zyrtar i KMSH-së.
Drejtori i Drejtorisë së Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH, Agron Hoxha bëri një prezantim të rrugëtimit të revistës (gazetës) që nga themelimi i saj e deri më sot, duke evidentuar qëllimin dhe misionin e rëndësishëm të saj në shërbim të besimtarëve myslimanë për edukimin dhe avancimin e tyre fetar e kulturor.
I ftuar nga drejtori i këtij institucioni arsimor, z. Kasim Ilhan, kryeredaktori Hoxha u shpreh i kënaqur që i jepet mundësia të komunikojë me medresistët e rinj, pasi, siç u shpreh ai, ata janë e ardhmja e Islamit në Shqipëri e më gjerë.
Një minutazh të konsiderueshëm iu rezervua edhe seksionit pyetje – përgjigje, ku z. Hoxha u tregua i gatshëm t’i jepte përgjigje të pranishmëve në mënyrë që ata të krijonin një ide për mënyrën se si revista funksionon.
Pas diskutimit plotësues e me interes, drejtori Hoxha i ftoi nxënësit që t’i referohen “Drita Islame” për zgjerimin e njohurive të tyre mbi Islamin si dhe për gjetjen e zgjidhjeve për problemet bashkëkohore duke theksuar se, “Drita Islame pret kontributin e çdo myslimani, pavarësisht moshës dhe nivelit intelektual”.
Aktiviteti promovues i Drejtorisë së Medias pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pritet të shtrihet në medrese dhe institucione të tjera islame në mbarë Shqipërinë.
/Drita Islame/