Besimtarët e Tiranës u mblodhën mbrëmë në Xhaminë e Et’hem Beut, duke iu bashkuar nismës më të fundit të Komunitetit Mysliman, Mbrëmjeve të Besimit, ku kanë dëgjuar Kuran, ligjëratat e teologëve si dhe ilahi të ndryshme.
Nënkryetari i KMSH z. Gazmend Aga në hapjen e mbrëmjes së parë u shpreh: “Jeta merr kuptim kur ajo jetohet me besim dhe fryti më i mirë i besimit janë veprat e mira. Nisur nga kjo, ne si Komunitet Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me të gjitha myftinitë e rretheve, do të organizojmë një cikël mbrëmjesh fetare të quajtura ‘Frytet e Besimit’”.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu në fjalën e tij u ndal në frytet e besimit në shoqëri, ku nënvizoi se besimi e bën njeriun më të sigurt në raport me individin dhe shoqërinë, duke iu larguar gjithmonë e më shumë fenomeneve negative. “Besimi ushqen drejtësi, sjellje të mirë me familjen dhe njerëzit e tjerë në shoqëri, largim nga fenomenet negative. Besimi sjell moral në shoqëri, edukatë, drejtësi, dashuri, solidaritet, besnikëri e ndershmëri. Besimi është një dritë dhe një fuqi e pashtershme për lumturinë e njeriut dhe njeriu i besimit nxitet që të bëjë vepra të mira”, tha ndër të tjera z. Spahiu.
Ndërsa zv/myftiu i Tiranës z. Gazmend Teqja, duke folur mbi frytet e besimit tek individi u shpreh se besimtarët e gjejnë qetësinë shpirtërore te fjala e Allahut dhe fjala e Profetit. “Frytet e besimit tek individi janë durimi, ndihmesa e të tjerëve, morali dhe sjellja e mirë. Përveç dorëzimit totalisht ndaj Zotit në adhurim, myslimani është nga ata njerëz që bën mirë edhe për njerëzit e tjerë dhe për krijesat e tjera”, tha z. Teqja.
Mbrëmje të tilla do të organizohen çdo të martë në një nga xhamitë e Tiranës dhe çdo të mërkurë në xhami të ndryshme në rrethe, pas namazit të akshamit.
1 Prill 2014