Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka përfunduar me sukses blerjen e një vakëfi në qytetin e Parmës, Itali, i cili do të shërbejë për ndërtimin e një objekti multifunksional. Me këtë rast, kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, së bashku me anëtarë të kryesisë, zhvilloi një vizitë dyditore në Parma.

Gjatë kësaj vizite, kryetari i KMSH-së zhvilloi takime me kryetarin e Bashkisë së Parmës, kryetarin e Këshillit Bashkiak të qytetit dhe me një grup besimtarësh të komunitetit shqiptar në Parma.

Ai shprehu falënderime për mbështetjen dhe kontributin e institucioneve lokale, si dhe vullnetin e tyre për të vijuar procedurat për zhvillimin e këtij vakëfi.

Kryetari i Bashkisë dhe kryetari i Këshillit Bashkiak vlerësuan përpjekjet e KMSH-së, duke nënvizuar rëndësinë e projektit për komunitetin mysliman të Parmës. Ata theksuan se bashkëpunimi me KMSH-në do të mundësojë ndërtimin e një objekti të denjë dhe funksional për besimtarët.

Ky vakëf do të shërbejë për ndërtimin e një objekti multifunksional që do të përfshijë një xhami moderne për lutje dhe aktivitete fetare, salla për takime dhe aktivitete komunitare, klasa, parking dhe ambiente të tjera.

Ky kompleks synon të jetë një qendër gjithëpërfshirëse dhe e hapur, që promovon paqen, dashurinë, diversitetin dhe bashkëpunimin ndërfetar. Projekti reflekton vlerat e bashkëjetesës fetare shqiptare dhe angazhohet për t’i shërbyer jo vetëm besimtarëve shqiptarë, por edhe atyre të kombësive të tjera në Parma.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë falënderon veçanërisht komunitetin shqiptar të Parmës, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë projekt, duke ndjekur nga afër procedurat dhe negociatat për blerjen e vakëfit. Ky vakëf, rezultat i përkushtimit të tyre, shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve fetare dhe shoqërore të komunitetit mysliman në Itali.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2025 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë