Me ftesë të ministrit të Ministrisë së Haxhit dhe Umres të Arabisë Saudite, Dr. Tevfik b. Feuzan er-Rabiah, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të institucionit, po zhvillon një vizitë disa ditore në qytetin e Xhides, në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Gjatë qëndrimit të tij, Kryetari Spahiu u prit në një takim të veçantë nga Ministri er-Rabiah, ku të dy nënshkruan marrëveshjen e Haxhit për vitin 2025. Kjo marrëveshje ka për qëllim rregullimin e procedurave dhe lehtësimin e organizimit të Haxhit për besimtarët shqiptarë, duke siguruar një realizim sa më të suksesshëm dhe të sigurt të këtij rituali.
Kryetari Spahiu falënderoi autoritetet saudite për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm për thjeshtimin e procedurave administrative dhe lehtësimin e udhëtimit për besimtarët shqiptarë. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e thellë për kujdesin dhe shërbimet e larta që ofrohen për haxhilerët nga gjithë bota. Po ashtu, Kryetari Spahiu vlerësoi kushtet e përmirësuara dhe mundësitë komode që janë krijuar për besimtarët që realizojnë Umren gjatë gjithë vitit.
Nga ana e tij, Ministri er-Rabiah shprehu mirënjohje të thellë për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, duke e vlerësuar për organizimin e shkëlqyer dhe korrekt të ritualit të Haxhit për besimtarët shqiptarë ndër vite. Ai theksoi se haxhilerët shqiptarë janë gjithmonë të mirëpritur në vendin që strehon dy xhamitë e shenjta.