Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti në një vizitë zyrtare, një delegacion nga Bashkësia Fetare Islame e Austrisë, delegacion ky i kryesuar nga Presidenti i Bashkësisë në fjalë, Mag. Umit Vural, Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Bashkësisë Islame të Austrisë, z. Vahidin Behluli, si dhe dy përfaqësues të tjerë.

Pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe pasi i falenderoi ata për vizitën, Kryetari Spahiu, i njohu shkurtimisht me historikun, organikën, si dhe me misionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në shoqërinë tonë.

Ndërsa, z. Vural, nga ana e tij, e falenderoi Kryetarin Spahiu për mikpritjen dhe ndau me të një tablo të shkurtër përshkruese mbi institucionin që ai përfaqëson dhe veprimtarinë e tyre.

Gjatë kësaj vizite, ndërmjet palëve u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi, objekt i të cilit është forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve ndër-institucionale në fusha me interest të përbashkët, për një afat 5-vjeçar.

Në fund të kësaj vizite, të dyja palët shkëmbyen me njëri-tjetrin disa dhurata simbolike.

Gjatë këtij takimi, Kryetari Spahiu, shoqërohej nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica dhe nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli.

  

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë