Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” është ndalur mbrëmjen e djeshme në Fushë-Krujë. Dhjetëra besimtarë myslimanë ishin mbledhur për të marr pjesë në bisedat fetare.
Për të ligjëruar ishte nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli dhe pedagogët e Kolegjit Universitar Bedër, Dr. Xhemal Saferti dhe Veton Tulla.
Nënkryetari i KMSH-së foli për lidhjen që duhet të ketë besimtari me Allahun, përmendjen dhe falënderimin ndaj Tij.
“Besimtari duhet ta ketë të fortë raportin me Allahun e madhëruar. Besimtari duhet ta ketë të vazhdueshme lidhjen me Allahun në çdo veprim të jetës së përditshme, Gjithmonë kërkesat, mbrojtjen, ndihmën dhe pendesën ta drejtojmë nga Allahu i Lartësuar, Të bëhemi besimtarë të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm në mënyrë që mos ti prishim urat që na lidhin me Allahun e Madhëruar”, – tha ndër të tjera z. Luli.
Pedagogu i Kolegjit Universitar Bedër foli për Krenarinë e Njerëzimit, Profetin Muhamed, a.s.
“Profeti Muahamed a.s është dhurata më e madhe që Allahu i ka bërë njerëzimit. Zoti i Madhëruar na do aq shumë neve sa na ka dërguar një Profet kaq të dashur dhe të urtë. Profeti Muhamed a.s erdhi si mëshirë për të gjithë botërat. Profeti ynë i dashur ka kërkuar falje dhe mëshirë për gjithë umetin e tij deri në frymën e fundit të vdekjes. Ne duhet të jemi besnik ndaj Profetit tonë fisnik. Besnikëria është që ne të ndjekim traditën dhe këshillat e profetit Muhamed a.s”, – tha z. Saferti.
Myftiu i Krujës, z. Erjol Haxhiu, falënderoi ligjëruesit për mesazhet e dhëna dhe theksoi se çdo njeri duhet ta rifreskojë besimin e tij. Këto takime janë shumë të dobishme për të shtuar besimin dhe dashurinë ndaj Allahut.