Vëllazërimi është një dua e sinqertë dhe një ftesë për mëshirë dhe sukses.

fb- shkoder (1)

Cikli i programeve “Frytet e Besimit” ndalesën e radhës e ka pasur në Shkodër në xhaminë e Parrucës, ku u trajtua çështja e vëllazërisë në Islam.

Kancelari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi, duke trajtuar çështjen e vëllazërisë referuar Kuranit dhe traditës profetike, qëndroi në vëllazërinë që Profeti Muhamed a.s. futi në shoqërinë islame, duke e ilustruar këtë me shembuj konkretë.

Kancelari  Zaimi theksoi se vëllazëria duhet të jetë jo vetëm ndjesore, por edhe logjike. “Gjërat që na bashkojnë janë shumë më tepër  sesa ato që mund të na ndajnë. Zotin e kemi një, profetin një, fenë një, librin një, kiblen një. Në syrin e urtësisë, të drejtësisë, të jetës individuale dhe shoqërore anësia, smira dhe urrejtja që prodhojnë përçarje dhe  armiqësi janë të patolerueshme dhe mjaft të dëmshme për besimtarin dhe shoqërinë islame. Bashkëpunimi dhe vëllazërimi janë kusht i suksesit prej Allahut”, nënvizoi z. Zaimi.

Drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH, z. Elvis Naçi,u ndal në sjelljet e përditshme të besimtarëve myslimanë në funksion të ruajtjes së vëllazërimit dhe unitetit. “Megjithëse ndonjëherë mund të jetë e vështirë, më e mira që duhet të bëjmë është ta duam njëri-tjetrin dhe të kërkojmë të mirën e gjithsecilit.” Duke prekur problematikat që prodhojnë konflikt në shoqërinë e sotme, z. Naçi theksoi se dashuria dhe vëllazëria për hir të Zotit dhe largimi nga zilia dhe xhelozia, janë ilaçet më efikase për një shoqëri të bashkuar që jeton në harmoni.

Aktivitetit është hapur nga Myftiu i Shkodrës z. Muhamed Sytari me fjalën e tij përshëndetëse dhe pas bisedave të të ftuarve programi ka vijuar me këndim Kurani dhe ilahi të ndryshme.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të tjerë nga Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, Myftiu i Malësisë së Madhe, z. Edmir Smalaj, si dhe imamë të Shkodrës.

Të martën e ardhshme ky program do të zhvillohet në xhaminë e Xhurës në Tiranë kurse të mërkurën në xhaminë Fatih në Durrës.

fb- shkoder (6)

fb- shkoder (2)fb- shkoder (5) fb- shkoder (3)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë