Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u zhvillua dje në xhaminë “Arrameras”, në Fushë Krujë.

Aktiviteti u hap menjëherë pas faljes së namazit të akshamit me lexim Kurani nga hafizi Enes Hyka.

Për të ligjëruar për besimtarët e pranishëm ishin Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërise, z. Taulant Bica, Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli dhe Myftiu i Krujës, z. Erjol Haxhiu.

Në fjalën hapëse të këtij aktiviteti, Myftiu i Krujës, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve u ndal në rëndësinë e organizimit të mexhliseve të dhikrit ku sipas tij janë të domosdoshme në ripërtëritjen e besimit tek të gjithë ne.

“Organizime të tilla janë sebep për të tërhequr mëshirën hyjnore, parandalojnë fatkeqësitë dhe shërbejnë për të freskuar besim né zemrat tona.”- tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me referimin e Nënkryetarit të KMSH-së, z. Bica i cili u ndal në shembullin e jetës së Profetit Muhamed, misionin e tij fisnik, mëshirën, sakrificën dhe vuajtjen që kishte ai për ti shpëtuar njerëzit nga injoranca dhe dënimi.

“Kush dëshiron ta përsosë moralin e Tij, le të marrë shembull prej natyrës dhe sjelljeve të shkëlqyera të Muhamedit (a.s.), i cili që prej 14 shekujsh e pasuroi njerëzimin me cilësitë më të larta të moralit. Dërgimi i Muhamedit (a.s.) është mëshirë nga Zoti i madhëruar që njerëzit t’i zgjidhin problemet e tyre në mënyrë të drejtë dhe humane, sepse Ai që na krijoi më së miri i di nevojat e krijesave, prandaj përmes Kuranit dhe traditës profetike ofron udhëzime afatgjatë dhe të përsosura.”- u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Myftiu i Tiranës, z. Luli, referoi për besimtarët e pranishëm mbi tefsirin e sures asr, mesazhet që ajo përcjell dhe rëndësinë e shfrytëzimit të kohës në favor të jetës së besimtarit.

“Besimtari i mirë e shfrytëzon kohën si instrument në favor të tij për të bërë vepra të mira e të pëlqyera tek Krijuesi i Tij. E një ndër punët më të pëlqyera tek Ai, është të kuptuarit drejt të besimit dhe shpjegimin e tij tek të tjerët.”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Në përfundim të këtij aktiviteti, Hafizi priu në faljen e namazit të jacisë.

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë