Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u zhvillua mbrëmjen e djeshme në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë, ku ishin të ftuar Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli dhe Profesori i Departamenti të Shkencave Islame të KU Bedër, z. Xhemal Seferti.
Programi nisi me faljen e namazit të akshamit nga myftiu i kryeqytetit, për të vazhduar më tej me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka.
Në fjalën e tij hapëse, Imami i kësaj Xhamie, z. Ahmed Kalaja, pasi falënderoi të ftuarit dhe besimtarët e pranishëm për pjesëmarrjen, u ndal në rëndësinë e organizimeve të tilla në jetën e besimtarëve. Sipas tij, takime të tilla janë të domosdoshme për të rifreskuar parimet e moralit të bukur që na mëson Islami.
Më tej, fjalën e mori Myftiu i Tiranës, z. Luli, i cili e cilësoi këtë cikël takimesh si ndjekje të shembullit profetik. Sipas tij, tradita profetike na mëson ta përmendim dhe përhapim më tej fjalën e Zotit dhe ky cikël takimesh është dëshmi e qartë e angazhimit në zhvillimin e aktiviteteve fetare.
Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, referoi mbi shembullin e jetës së Profetit. Sipas tij, rifreskimi i besimit është detyrë e gjithsecilit nga ne për të mbajtur lart vlerat e besimit dhe të praktikimit të Islamit. E për ta bërë këtë, nuk ka shëmbull më të përkryer sesa jeta e të dërguarit tonë fisnik.
“Ta duash Profetin do të thotë të ndjekësh rrugën që ai ndoqi, dhe ta jetosh në praktikë shembullin e tij. Problemet me të cilat përballet shoqëria jonë sot, e bën të domosdoshme dhe jetike njohjen e profetit dhe ndjekjen e jetës dhe traditës së tij.” – tha z. Bica gjatë referimit të tij.
Programi vazhdoi më tej me referimin e Profesorit nga Jordania, z. Xhemal Seferti. I cili ndau me besimtarët e pranishëm rëndësinë e qëndrueshmërisë apo stabilitetit në fe. Sipas tij veprat që e ndihmojnë njeriun të jetë i qëndrueshëm në fe janë leximi i Kuranit dhe përpjekja për t’a kuptuar atë sa më mirë, meditimi rreth tregimeve profetike, duaja, dhikri, shoqëria e mirë, etj.
“Qëndrueshmëria në fe do të thotë të ndjekësh rrugën e drejtë, që është feja e qartë, pa lakuar djathtas a majtas. Kjo përfshin bërjen e veprave të mira, qofshin ato të dukshme a të padukshme, dhe shmangien nga punët e ndaluara.” – tha z. Seferti gjate fjalës së tij.
Programi vazhdoi më tej me diskutime të ndryshme.