IMG_1490

“Cilësitë e besimtarëve” ishte tema e radhës që u mbajt në xhaminë e Fushë Krujës, në kuadër të ciklit të bisedave nën titullin “Frytet e Besimit”.

Mbrëmjen e hapi myftiu i Krujës, H. Agim Tereziu, i cili falënderoi të ftuarit dhe në mënyrë të veçantë Komunitetin Mysliman për organizimin e këtyre takimeve të frytshme.

Drejtori i Haxhit dhe Marrëdhënieve me Botën Islame në KMSH, z. Hamdi Çurri, në fjalën e tij përmendi disa nga cilësitë dalluese të besimtarëve. “Të qenët modest përshkruhet si cilësi e parë e robërve të Zotit. Në këtë këndvështrim, myslimanët e vërtetë, jo vetëm që nuk krenohen përballë të mirave që posedojnë, por edhe adhurimi që kryejnë, shërbimi që ofrojnë, gjendja e tyre shpirtërore e ndjesore nuk i shpie ata në pëlqim të vetvetes”, u shpreh mes të tjerash z. Çurri.

Ndërsa teologu Lauren Luli, duke folur për rolin dhe kontributin e besimtarëve në shoqëri, u shpreh: “Besimtarët e ndërtojnë jetën e tyre me bujari dhe mirësi. Ajo që i dallon ata është se nuk mendojnë vetëm për veten, por rreken e përpiqen për të mirën e përgjithshme.”

Këndimi i Kur’anit, si pjesë e programit, jo vetëm që e gjallëroi atmosferën, por emocionoi edhe pjesëmarrësit e shumtë që kishin mbushur xhaminë.

Të gjithë u larguan duke marrë me vete kënaqësinë e këtij tubimi vëllazëror.

Cikli “Frytet e besimit” vijon rrugëtimin e tij dy herë në javë duke u ndalur në xhami të ndryshme në çdo cep të Shqipërisë.

25 Nëntor 2014

IMG_1471

IMG_1496  IMG_1453 IMG_1418

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë