Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimi” u zhvillua mbrëmjen e së enjtes në Xhaminë e Plumbit në Berat.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, foli për mirësitë e leximit të Kur’anit. Z. Spahiu nënvizoi se sa më shumë ta lexojmë Kur’anin, aq më shumë do ta kuptojmë e do ta jetojmë atë, aq më shumë qetësi për zemrat dhe dritë prej mendjet do të përfitojmë.
“Kur’ani, – vijoi z. Spahiu, – është libri që urdhëron drejtësinë, lirinë dhe barazinë e drejtpeshuar, virtytin dhe dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve. Ai ndalon hapur dhunën, padrejtësinë, injorancën, gënjeshtrën, etj., ai ndalon çdo të keqe.”
Ndërsa Kryevaizi i KMSH-së, z. Lauren Luli, foli rreth cilësive të besimtarit. Sipas tij një besimtar i mirë është ai që mban lidhje të forta me Allahun dhe këtë lidhje e pasqyron përmes veprave.
“Në ajetet e sures Furkan, Allahu i tregon qartë cilësitë që duhet të ketë një besimtar i vërtetë, ku ndër më kryesoret janë: përunjësia ndaj Allahut, thjeshtësia dhe respekti ndaj tjerëve. Ndaj, duhet të jemi sa më të përulur në adhurim ndaj Zotit dhe të respektojmë tjerët ashtu si veten”, tha z. Luli.
Myftiu i Beratit, Murat Duro, shprehu vlerësimin ndaj KMSH për këto programe që kanë nisur para dy vjetësh dhe po vazhdojnë rregullisht në të gjithë xhamit e vendit.
9 Prill 2015