Cikli i programeve “Frytet e Besimit” është zhvilluar mbrëmjen e të enjtes në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë.
Dhjetra besimtarë ishin të pranishëm për të përfituar nga urtësitë dhe mesazhet që do të jepnin ligjëruesit.
Për të ligjëruar në këtë ndalesë të radhës ishte nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli dhe zv/myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja.
Nënkryetari i KMSH-së u ndal tek mendimi dhe veprimi i besimtari sipas të drejtës dhe të vërtetës.
“Në ajetet e ndryshme të Kuranit, të jesh besimtar i vërtetë do të thotë që fjalët dhe veprat, gjer në botën e brendshme, t’i skicosh sipas të drejtës dhe t’i organizosh rreth vërtetësisë. Besimtari i plotë jeton gjithmonë në njëshmëri të mendimit dhe të sjelljes, është i ekuilibruar, i drejtë, besnik e i ndershëm në gjendjen e brendshme e në thellësi të shpirtit, në mendime e në synime, në ide e në qëllime”, tha ndër të tjera z. Luli
Zv/myftiu i Tiranës u ndal tek këshillat që besimtari mund të marri nga Kur’ani Famëlartë.
Duke cituar disa ajete kur’anore z. Teqja solli në vëmendje të besimtarëve disa mesazhe mjaft të vlefshme. Ai theksoi se besimtari i devotshëm duhet ta shtypë hakmarrjen, të largohet nga mëkatet dhe të veprojë sipas porosive të Kur’anit.
Ndërsa imami i xhamisë, z. Ahmed Kalaja falënderoi dy ligjëruesit dhe rikujtoi për besimtarët mesazhet që u përcollën gjatë kësaj mbrëmjeje.