Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit”, trajtoi mbrëmjen e së mërkurës temën e bujarisë në Xhaminë e Brrakës në Tiranë.
“Të dhurosh diçka nga vetja në emër të dashurisë dhe dhembshurisë për tjetrin, nxitur nga besimi që mbart brenda vetes, sigurisht që është një veprim i një njeriu të lartë dhe fisnik. Një njeri që jep është njeri fisnik”, u shpreh nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi.
Drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH, Elvis Naçi u ndal në bujarinë e profetit Muhamed a.s. si shembull për të gjithë njerëzit.
“Profeti Muhamed ishte një shembull në çdo aspekt. Profeti çdo gjë që kishte ua dhuronte të varfërve, ai ishte më bujari ndër të gjithë. Pejgamberi ynë ka thënë se Allahu thotë shpenzo që të shpenzoj për ty, Dora e Allahut është përplot, nuk e pakëson shpenzimi”, tha z. Naci.
“Bujaria është një nga virtytet më të larta që duhet të zotërojë një besimtar mysliman. Të japësh, të ndihmosh, të përkrahësh, t’i gjendesh tjetrit në problemet që ka, janë cilësitë e bashkëpunimit, që e bën një shoqëri të jetojë në harmoni të plotë”, tha imami i xhamisë së Et’hem Beut, Elton Karaj.
Ndërsa zv/myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, këndoi për kënaqësinë e të pranishmëve disa disa ajete nga Kurani Famëlartë.
/Drita Islame/