Cikli i mbrëmjeve fetare “Frytet e Besimit” u ndal mbrëmjen e së martës, pas namazit të akshamit, në Xhaminë e Saukut, ku u trajtua çështja e botës së përtejme.
Në hapjen e kësaj mbrëmje, nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi, u shpreh se feja është këshillë, dhe se me këtë qëllim besimtarët mblidhen së bashku, për të përfituar nga njëri- tjetri, duke u njohur më mirë me njëri-tjetrin dhe duke iu lutur Allahut që këto takime të shërbejnë si dëshmi në botën tjetër.
“Çdo tubim, çdo vepër, çdo përpjekje, ne e kryejmë me qëllimin që të fitojmë kënaqësinë e Zotit të gjithësisë. Ato do të na serviren në botën tjetër, me lejen e Allahut, si surpriza të këndshme dhe do të shpërblehemi, në varësi të nijetit tonë, shumëfish nga Shpërndarësi i mëshirës pakufi”, tha z. Zaimi.
Përgjegjësi i Rinisë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli, u shpreh se të gjitha sprovat, lotët, mundi e dhimbja që përjetohet në këtë botë marrin kuptim me besimin në botën e përtejme.
“Mundi i njerëzve që me kontributin e tyre u munduan të ndryshojnë rrjedhën e moralit, edukatës dhe jetës së njerëzve nga e keqja në të mirë, duke paguar qoftë edhe me jetën e tyre, por që nuk janë vlerësuar në këtë botë, do të vlerësohen në një dimension të ri jetësor të pafund, pra në botën e përtejme”, nënvizoi z. Luli.
Drejtori i Thirrjes në Islam, Elvis Naçi, u shpreh: “Vdekja është kalimi nga kjo botë për në botën tjetër, atje ku njeriu do të takojë Zotin e tij. Por sa të përgatitur jemi ne për këtë takim? Gjithsecili reflekton në vetvete dhe sa është në këtë botë ka mundësi të korrigjojë çdo gabim që ka bërë, sepse mëshira e Allahut është e pafund.”
Ndërsa zv/myftiu i Tiranës, Gazmend Teqja, këndoi për kënaqësinë e të pranishmëve disa disa ajete nga Kurani Famëlartë.
Sonte (E Mërkurë, 4 Qershor 2014) “Frytet e Besimit” do të zhvillohet në Xhaminë e Pogradecit, pas namazit të akshamit.
3 Qershor 2014