Haxhi Selim Muca

Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim

 

Nesër është një ditë e madhe për besimtarët myslimanë, është Kurban Bajrami.

Me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Kurban Bajramin. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet dhe të afërmit tuaj.

Bajrami është festa më e bukur dhe më e bekuar për myslimanët. Kurban Bajrami ka në qendër sakrificën. Me therjen e kafshës kuptohet përkushtimi jonë për t’iu bindur Krijuesit. Jo sepse Zoti ka nevojë për mishin apo gjakun e kurbanit. Jo sepse sepse Zoti kërkon t’i mundojë njerëzit fizikisht apo financiarisht. Zoti kërkon nga njerëzit të jenë të bindur ndaj urdhërave të Tij, të tregojnë gadishmërinë dhe devotshmërinë e tyre për t’iu afruar Zotit me vepra të mira.

Kurbani bëhet shkak që edhe i varfri të gëzojë dhe të falenderojë Allahun për mishin që i jepet me këtë rast. Njeriu i varfër në sajë të kurbanit kupton se shoqëria në të cilën jeton tregon vëmendje ndaj tij. Në këtë mënyrë kurbani nxit dhe zhvillon shpirtin e vëllazërimit, të ndihmës, të sakrificës e të mbështetjes së njëri-tjetrit në shoqëri.

Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, gëzuar këtë festë të bekuar. Paçit mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë Kurbanin.

 

Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë.

 

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Haxhi Selim Muça

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë