Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Zyra e Gruas, organizoi më 1 Shkurt 2014, simpoziumin “Gruaja në shoqëri dhe familje”, ku u diskutua mbi rolin e gruas në familje dhe shoqëri, për gruan si bashkëshorte dhe si nënë, për gruan shqiptare dhe për pozitën e gruas në Islam.
Në panelin e diskutimit ishin: znj. Mirela Jorgo, avokate, znj. Anjeza Bojaxhiu, koordinatore për dhunën ndaj grave në Bashkinë e Tiranës, znj. Nevila Qardaku, psikologe si dhe znj. Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas, në KMSH.
Në fjalën e saj znj. Karaj theksoi se përpara ardhjes së fesë islame, gruaja nënvlerësohej, përçmohej e dhunohej, pra shihej si një pjesë e padobishme dhe e dëmshme për shoqërinë dhe se islami erdhi për t‘i rikthyer dinjitetin e humbur gruas, nderin dhe respektin, duke e barazuar atë me burrin. Ajo nënvizoi se femra, gruaja, është forca ekuilibruese e familjes dhe shoqërisë!
Avokatja Mirela Jorgo, u ndal në të drejtat e femrës, që nga kohët e lashta, e deri në ditët e sotme, ku nënvizoi se femrat po fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta, dhe më shumë rol e integrim në jetën sociale, politike dhe atë ekonomike, por me gjithë dëshirën e mirë për progres, në mentalitetin shqiptar gruaja ende diskriminohet.
Ndërkohë znj. Anjeza Bojaxhiu, foli rreth cilësive të një bashkëshorteje të mirë, çka e bën gruan çelësin e lumturisë. “Gruaja është pesha kryesore në familje dhe shoqëri. Pas një gruaje të mirë vjen një burrë i suksesshëm, pas një nëne të mirë vijnë fëmijë të edukuar dhe të moralshëm dhe pas një familje të edukuar e të moralshme vjen një shoqëri më e mirë.”, u shpreh znj. Bojaxhiu.
Ndërsa psikologia Nevila Qardaku, u ndal në brishtësinë dhe devotshmërinë e gruas. Ajo theksoi se një grua e devotshme dhe me shpirtin e përkushtimit ndaj Krijuesit është ajo për të cilën çdo shoqëri ka nevojë.
Simpoziumi u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.