Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi sot në ambientet e Medresesë së Tiranës, mbledhjen e tij të zakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit.

Pas votimit të anëtareve të Këshillit të Përgjithshëm, H. Bujar Spahiu u rizgjodh Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për një mandat të dytë 5-vjeçar.

Kandidaturat për kryetar të institucionit ishin: z. Eduard Shefki, Administrator i Myftinisë së Durrësit, z. Emirjon Vathaj, Myfti i Beratit dhe z. Bujar Spahiu, kryetar aktual i KMSH-së.

Fillimisht kandidatët prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për të ardhmen e institucionit. Gjatë prezantimit pati diskutime dhe pyetje të ndryshme në lidhje me programin por edhe mbi çështje që preokupojnëinstitucionin dhe besimtarët.

Votimi për zgjedhjen e kryetarit u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 94 anëtarë të këshillit, votuan 92 prej tyre pasi 2 anëtarë mungonin. Fitues me shumicë votash u shpall z. Spahiu me 82 vota.

Proçesi i votimit u zhvillua rregullisht konform normave statutore dhe nuk pati asnjë kontestim.

Islam Hoxha, Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i dorëzoi në shenjë simbolike kryetarit Spahiu çallmën dhe xhyben e tij duke i uruar suksese dhe mbarësi në këtë mandat të dytë pesëvjeçar.

Më pas, z. Spahiu me dorë mbi Kur’anin Famëlartë, bëri betimin konform statutit përpara anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, si vijon:

“Betohem në emër të Allahut, se do të vazhdoj me besnikëri e përkushtim urdhrat e Islamit, do të punoj me ndërgjegje të plotë islame për lartësimin e fesë së Allahut, do të zbatoj me përpikmëri Statutin dhe Rregulloren e Komunitetit Mysliman, dhe do të punoj me ngulm për forcimin e ndjenjës kombëtare e atdhedashurisë ndër myslimanët e Republikës së Shqipërisë. Allahu më ndihmoftë!”

Pas ceremonisë së betimit, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e uruan z. Spahiu për mandatin e dytë në krye të institucionit.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë