Hafiz Ibrahim Dalliu, lindi më 1878 në një familje fetare, ku u edukua në frymën fetare të familjes dhe duke ndjekur këtë rrugë vendosi të studionte në Stamboll. Gjatë studimeve, Ibrahimi në frymën islame u aktivizua për çështjen kombëtare shqiptare. Ai ishte teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe aktivist shqiptar.
Në këtë drejtim Dalliu, mendonte se funksionarët e Xhamisë dhe të gjithë besimtarët myslimanë kishin nevojë të menjëhershme për literaturë fetare në gjuhën shqipe, prandaj sapo u kthye në atdhe, mori përsipër detyrën e mësuesit në një nga shkollat e para të Tiranës (1901), së bashku me Filip Ashikun dhe Hoxhë Voglin, me gjithë vështirësitë e shumta e pa u shkëputur nga detyra e imamit në faltoret e qytetit.
Më 1908 ai hapi shkollën e vajzave në Tiranë, ku u përgatitën mësueset e para vajza myslimane, si Servete Maçi etj.
Në formimin me ndjenja patriotike tek Dalliu ndikoi bashkëpunimi me atdhetarë shqiptare. Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë”, autori ka përmendur mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të kombit. Këta qenë motivet që Hafiz Dalliu u zgjodh delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos hapja e Shkollës Normale (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri) e ku Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re ku Aleksandër Xhuvani shkruan, ndër te tjera, që Normalja ka ne themelin e saj djersën dhe kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut. Mirëpo këto bindje e qëndrime ‘heretike’ të njeriu të përkushtuar e çuan Hafiz Dalliun në burgje mizore deri në dënim dhe përndjekje. U desh ndërhyrja e miqve dhe e shokëve si Hasan Prishtina, Mihal Grameno etj, që e detyruan gjykatën ta lironin.
Pas vitit 1912 Hafiz Ibrahim Dalliu iu kushtua publicistikës dhe letërsisë satirike. Më vonë drejtoi gazetën politike “Dajti”. Duke nisur nga viti 1918 deri më 1924 botoi një varg veprash satirike, duke u bërë kështu ndër të parët poetë satirikë që çanë rrugën e humorit në letërsinë shqipe. Këto vepra janë “Grenxat e kuqe” (1918), “Dokrat e hinit” (1920), “Kabineti i Xhafer Ypit” (1922) etj. Shkroi gjithashtu edhe librin me vjersha patriotike “Kreshniku i atdheut”, si dhe monografinë “Patriotizma në Tiranë” (1930). Por njohjen si poet ai e fitoi me elegjinë kushtuar Avni Rustemit, kurse popullaritetin e fitoi nga qëndrimi i tij stoik kundër torturave që atij i bënë pushtuesit e Shqipërisë.
Burrëria dhe heroizmi i Dalliut vihet në dukje dhe në një nga këngët e “Lahutës së Malësisë”, ku poeti Gjergj Fishta mbi të tjera shkruan: “a isht’ “Shqiptar” apo “Osmanli”, u përgjegj me trimëni: jam shqiptar me gjuh e fis.”
Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një ndër mbështetësit konseguentë të lëvizjeve demokratike të viteve 1920-1924. Vrasja e Avni Rustemi e brengosi pa masë. Por ai gjeti forca dhe i thuri këtij martiri të shquar, një këngë e cila gjeti jehonë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por në mbarë viset shqiptare.
Hafiz Ibrahim Dalliu u përndoq nga disa regjime dhe në fund edhe nga regjimi komunist. Ai njohu qelitë e burgut të Manastirit, Selanikut, Tiranës. Herën e fundit e akuzuan për botimin e poemës “Grenxat e kuqe”, se ka sulmuar pansllavizmin. Por karakteri shumë i fortë, besimi në islam e ushqente atë për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë. Kështu e gjithë jeta e Dalliut, është e ngjeshur me ndjekje policore si pasojë e veprimeve të tij kundrejt padrejtësitë dhe veprimeve për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë.
Pas Luftës II Botërore u emërua mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës për lëndët e Besimit Islam.
Vendosja e diktaturës së shtetit monist cenonte interesat e të gjitha shtresave dhe të drejtat e masave popullore, prandaj Hafiz Dalliu nuk mund të pajtohej me regjimin ateist, komunist e diktatorial dhe pikëpamjet e tij i shprehte hapur qoftë edhe përpara nxënësve gjatë orës së mësimit. Ai nuk mund ta mendonte shtetin të tillë që merr nëpër këmbë të drejtat më elementare të qytetarëve, ndërgjegjen dhe bindjet e tyre fetare. Është thënë se atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, atje gjendej dhe Hafiz Dalliu. Vetë Hafiz Dalliu thoshte: “…Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë njerëz që nuk kanë menduar në të mirë të Atdheut, unë do të jem në opozitë…” kështu diktatura komuniste e arrestoi dhe e burgosi, duke e torturuar pa asnjë argument ligjor; pas disa muaj mundimesh në duart e persekutorëve nëpër qelitë e burgut, e liruan për mungesë faktesh dhe del nga burgu i sëmurë, i dobësuar sa nuk qëndronte dot në këmbë dhe për pasojë vdes në shkurt te vitin 1952.
Ai nuk kurseu as pasurinë, as fuqitë fizike e as intelektin e tij me atë horizont të gjerë kulturor në të mirë të Islamit, në të mirë të Shqipërisë. H. Ibrahim Dalliu ishte i bindur se pa një shtet të stabilizuar, të qetë, të pasur e të sigurtë njeriu nuk mund të ushtrojë besimin fetar. Tek ai gjejmë të ngjizura në një ekuacion faktorët e binomit FE – ATDHE si zgjidhja më e mirë dhe e garantuar, ku asnjëra nga të dy kufizat nuk qëndron dot pa tjetrën.
Shkrirja në një front të vetëm të përpjekjeve për përparimin dhe konsolidimin e Islamit me luftën për çështjen kombëtare, pa zvogëluar rëndësinë e njërës në kurriz të, në këta motive konsistonte sekreti i mundit plot vetmohim i Hafiz Ibrahim Dalliut, mishërim i binomit “Fe-Atdhe” që bashkëjetojnë në të njëjtën kohë e vend e asnjëra nuk e përjashton tjetrën. Faik Konica ka thënë: “Të mos ishte islami, populli shqiptar do te ishte shume me tepër në numër por jo shqiptar”.
Hafiz Dalliu me shkrimet e tij u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur. Të flasësh për Hafiz Dalliun nuk është asnjëherë e tepërt, porse për të njohur më mirë këtë figurë madhore islame, këtë luftëtar trim të shqiptarizmës, këtë poet gojëmjaltë të vargut shqip, gjithsecili në mënyrën e vet do të arrijë vetëm duke njohur shkrimet e këtij mësuesi veteran. Për këtë qëllim po sjellim fare shkurt subjektet e disa prej veprave të tij fetare e letraro-patriotike:
- “Libri i së Falmes”, tregon rregullat kryesore të të gjitha namazeve ditore e periodike, dispozitat kur’anore në lidhje me këtë shtyllë të Islamit. Aty janë përfshirë pjesët kur’anore që mund të shërbejnë gjatë faljeve dhe lutjet e rastit në arabisht e të transkriptuara dhe të përkthyera në shqip. Libri është shpërndarë falas; ai ka ndihmuar për shumë kohë besimtarët myslimanë që të falen, të kryejnë këtë detyrë, të obliguar për çdo individ.
- “Dhanti e Ramazanit”, përmban rregullat e agjërimit, si e kur lejohet që të mos agjërohet, kur ndërpritet agjërimi dhe si konsiderohet agjërimi i prishur etj. Autori ka parashtruar në këtë libër edhe dobitë fiziologjike, rëndësinë e edukimit moral nëpërmjet agjërimit dhe vlerën shoqërore të tij.
- Ilahija “Një lutje shpirtit të madhnueshëm të Resulull-llahit”, botuar shumë herët, është hymn fetar i frymëzuar për dashurinë që ka myslimani për Profetin e tij dhe për Islamin.
- Te libri “Patriotizma në Tiranë”, autori ka marrë në analizë zhvillimet e shoqërisë shqiptare dhe pjesëmarrjen e atdhetarëve të Tiranës në veprimtari patriotike, para e pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, e përhapur kjo lëvizje edhe në qytete të tjera të vendit. “Patriotizma…” është një vepër dokumentare e papërsëritshme e këtij dëshmitari okular, siç ishte vetë Hafizi, pjesëmarrës aktiv i vijës së parë në veprimtaritë e kohës.
- Poema satirike “Dokrrat e Hinit” vë në lojë ata njerëz që nuk i sjellin asnjë dobi atdheut dhe e kalojnë kohën nëpër lokale kafenesh me biseda të padobishme. Ai i ironizon pseudointelektualët që i përdorin fjalët e huaja vend e pa vend. Sidoqoftë kryevepra e Hafiz Dalliut është vepra “E lemja dhe jeta e të madhit Muhamed a.s.”, vepër origjinale në vargje (6143 vargje), po nuk bie më poshtë edhe Tefsiri i Kur’anit i titulluar “Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit” përkthyer prej vetë Dalliut.Ibrahim Dalliu-liber
Vlen të përmendet edhe kontributi i tij i paçmuar gjatë viteve ’30 për botimet e shumta që bëri në shërbim të edukimit fetar. Numërohen gjithsej 15 vepra, përkthime, por shumica origjinale. Ndër të gjitha këto shquan “Tefsiri shqip i Kur’anit” në dy vëllime, përkthyer nga arabishtja.
Libra të tjerë me karakter fetar janë: “Udha muhamedane” (vepër afër 500 faqesh), botuar në Tiranë më 1936, “Mësime teorike dhe praktike të besimit islam”, Tiranë, 1935 etj. Ai ishte gjithashtu anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Kontributin e Hafiz Ibrahim Dalliut në dobi të të gjithë botës islame shqiptare e kanë patur parasysh edhe shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, të cilët e kanë botuar dhe ribotuar të plotë të gjithë veprën e Hafiz Dalliut. Një studim me rëndësi për jetën e Hafiz Dalliut ka bërë edhe Doc. Sinan Tafaj, si dhe z. Xhemal Balla.
Dihet edhe një gjë tjetër që emri i mirë që ka gëzuar dhe gëzon në popull, janë munduar që ta eklipsojnë elitat dhe është lënë në harresë prej tyre, siç konstaton edhe z. Aurrel Plasari: “…Ka qenë prirje që figurën e Hafiz Ibrahim Dalliut për ta lënë jashtë, për ta lënë në harresë, për mos ta dashur…”
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=DgfweaIwCdw” width=”560″ height=”315″]