Nën një atmosferë të ngrohtë shpirtërore, me lexim Kur’ani, ilahi dhe përshëndetje të ndryshme nga të ftuarit e nderit, u hapën sot dyert e xhamisë së “Hadmit” në fshatin Pezë e Vogël, Tiranë.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar Spahiu, Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, përgjegjësi i çështjeve fetare pranë Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Hamd el-Saj’arij, si dhe dhjetëra besimtarë të këtij fshati.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi falënderoi donatorët për kontributin në restaurimin e kësaj xhamie, u ndal në rëndësinë që duhet ti kushtojnë besimtarët e zonës frekuentimit të saj.

“Xhamitë janë vatër e edukimit në themel të të cilave qëndron dashuria, respekti dhe adhurimi i Allahut. Uroj dhe shpresoj shumë që besimtarët e këtij fshati, ta kthejnë këtë xhami në një burim mirësie, në një objekt ku ushqehet mendja dhe shpirti me besim ndaj Allahut të Gjithësisë.” – tha ai.

Më tej, Myftiu i Tiranës, z. Luli, shprehu mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur restaurimin e kësaj xhamie dhe theksoi rihapjen e saj si një domosdoshmëri për formimin e qytetarëve dhe individëve me vlera të larta morale e shoqërore.

Ceremonia e hapjes vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të z. Hamd el-Saj’arij, i cili ndau me të pranishmit rëndësinë që do të luaje kjo xhami në praktikimin dhe pajisjen e besimtarëve të zonës me moral dhe vlera Islame.

Pas prerjes së shiritit të përurimit, besimtarët e pranishëm falën sëbashku namazin e xhumasë, hytben e së cilit e mbajti Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, mbi temën: “Pozita e njeriut sipas Islamit”.

Gjatë hytbes ai u fokusua mbi cilësitë dalluese të njeriut dhe pozitën që ai zë ndër krijesat e tjera të Allahut xh.sh. Duke e ilustruar fjalimin e tij me hadithe dhe ajete të shumtë rreth kësaj teme.

Restaurimi i kësaj xhamie u bë falë kontributit të Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite në bashkëpunim me Ambasadën e Arabisë Saudite në Tiranë, ndërsa projekti i restaurimit të saj u implementua nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

    

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë