Haxhinjtë shqiptarë si çdo vit i janë bashkuar miliona besimtarëve nga e gjithë bota, në vendet e shenjta të Arabisë Saudite, për të kryer ritualin e përvitshëm të Haxhit.
Nën drejtimin e kryetarit të delegacionit të haxhinjve shqiptarë Bujar Spahiu, dhe përgjegjësit të Haxhit në KMSH, Hamdi Çurri, haxhinjtë shkojnë tre herë në ditë në Qabe për të falur namaz dhe për t’iu lutur Allahut, atje ku lutja ka më shumë vlerë se në çdo vend tjetër.
Sipas një programi të paracaktuar nga KMSH, myftinjtë e imamë e teologë, të shquar u mbajnë haxhinjve ligjërata të shumta mbi islamin, fenë e paqes, mirësitë e besimit dhe dashurinë për Allahun, Krijuesin e gjithçkaje.
Pas mbarimit të umres dhe në pritje të fillimit të Haxhit i cili fillon dy ditë para Kurban Bajramit, 13-18 tetor, çdo ditë pas namazit të drekës mbahen biseda dhe jepen orientime, në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur, si nga ana e njohurive ashtu edhe nga ana shpirtërore, për të kryer një ritual sa më të plotë dhe të pranuar tek Zoti.
Ata janë akomoduar në një hotel pranë Qabes dhe vazhdimisht kryejnë vizita në Shtëpinë e Shenjtë. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë dhe janë 24 orë nën kujdesin e mjekëve dhe të stafit organizator.
Ky është viti i tretë që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizon haxhin institucionalisht dhe nga viti në vit shtohet interesi dhe numri i atyre që duan ta kryejnë këtë obligim.