ZK1A0939

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hedhur sot zyrtarisht themelet e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, në prani të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, Presidenti i Republikës së Turqisë z. Rexhep Tajip Erdogan, dhe personalitete të tjera nga Shqipëria dhe Turqia.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani falënderoi popullin turk për ndihmën dhe përkrahjen e tyre për ndërtimin e kësaj xhamie. Presidenti Nishani ndër të tjera tha: “Ne sot ndodhemi në një vend të bekuar, ku që prej themelimit të Tiranës, 400 vjet më parë, e deri në ditën e errët, kur diktatori komunist Enver Hoxha i penalizoi shqiptarët me dhunë nga e drejta e besimit, qindra dhe mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë faleshin këtu në këtë shesh, për hir të Zotit. Këtu në këtë vend shqiptarët i drejtoheshin Zotit madje edhe në heshtje edhe në ditët e egra të sulmit komunist ndaj kulteve fetare. Jam shumë i lumtur që sot hedhim themelet e kësaj xhamie, shtëpisë së Zotit për besimtarët myslimanët të vendit tim.”

Presidenti Nishani vuri theksin gjithashtu edhe mbi harmoninë ndërfetare, si një model perfekt jo vetëm gjatë ditëve të bukura të historisë sonë, por edhe në momentet më të vështira, kur klerikët ishin së bashku në burgjet dhe kampet e internimit të regjimit.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe presidenti i Turqisë z. Rexhep Tajip Erdogan, i cili ndodhet në Shqipëri në një vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit të Republikës.

“Kjo xhami do të ndërtohet me kontributin dhe ndihmat e popullit turk. Afërsia e kësaj xhamie me kishën, dhe prania e muzeut të bashkëjetesës, i cili do të ndërtohet pranë kësaj xhamie, tregon diversitetin dhe harmoninë në Shqipëri.”, nënvizoi presidenti Erdogan.

 Ai foli gjithashtu për lidhjet historike midis dy popujve për personalitete të përbashkëta shqiptare siç kanë qenë arkitekti i xhamisë Sulltan Ahmet, Sami Frashëri, autori i himnit kombëtar turk Mehmet Akif Ersoj, 35 sadrazamë (kryeministra) në kohën e Perandorisë Osmane, si dhe kontributin e miliona shqiptarëve që banojnë në Turqi.

Pas fjalës së dy presidentëve, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj ka bërë një lutje (duá), ku ndër të tjera tha: “Po lutemi sot të mbledhur në një ditë të veçantë, në vendin e bekuar të Namazgjasë, për të filluar realizimin e ëndrrës shumë vjeçare të besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe mbarë besimtarëve shqiptarë.

O Allah i Madhëruar! Begatoje këtë vend të shenjtë, nga begatia jote e pafundme, bëje një vend ku lartësohet dhe nderohet emri Yt i Madhëruar me adhurime të sinqerta! Bëje  një vend ku shpërndahet dashuria, dija dhe respekti për të gjithë.”

Pas kreut të KMSH-së një lutje ka mbajtur edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Turqisë, z. Mehmet Gormez, i cili ishte i pranishëm në hedhjen e themeleve të Kompleksit të Namazgjasë.

Më pas është shtypur butoni për hedhjen e betonit, ku ka nisur zyrtarisht edhe puna për ndërtimin e Xhamisë dhe Kompleksit të Namazgjasë.

Ky kompleks do të jetë qendra më e madhe Islame në Ballkan, e cila do të përfshijë xhaminë, një sallë konferencash, sallë mbledhjeje, një sallë ekspozitash, Muzeun e parë Islam në Ballkan, bibliotekën, zyra, parking, si dhe hapësira të tjera për publikun.

Kompleksi Namazgja do të ketë një kapacitet të përgjithshëm prej 20.000 metrash katrorë, kurse xhamia do të ketë një kapacitet prej 5.000 vetash, që mund të falen në të njëjtën kohë.

Në ceremoninë e hedhjes së themeleve të xhamisë së Madhe të Tiranës morën pjesë një numër i madh qytetarësh të kryeqytetit dhe më gjerë.

13 maj 2015

ZK1A0805ZK1A0725

ZK1A0706  ZK1A0747   ZK1A1036ZK1A0499

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë