Ilmihalet zënë një vend të rëndësishëm në përditshmërinë fetare të myslimanëve. Për nga përmasat, ilmihalet mund të jenë të mëdhenj ose të vegjël, por në përgjithësi përmbajnë njohuritë themelore të nevojshme për praktikimin e fesë në jetën e përditshme. Ilmihali, është dituria që tregon dhe shpjegon çështjet në lidhje me besimin, adhurimin dhe moralin, të cilat duhet t’i dijë çdo mysliman. Çdo besimtar dhe besimtare e ka detyrë së paku të nxërë njohuritë themelore për jetën adhurimore dhe të njohë detyrimet e veta fetare.
Ky ilmihal është produkt i një pune të gjatë, ku përveç literaturave bazë për hartimin e tij, i jemi referuar edhe disa ilmihaleve të mëparshëm, bazuar në medh’hebin zyrtar hanefi të KMSH-së. Ilmihali për fillestarë trajton tematika të ndryshme, duke i ndarë ato në tri kategori studimi: Besimin, adhurimin dhe moralin. Gjatë punës sonë jemi përpjekur që formulimet në tekst të jenë në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme. Në këtë drejtim, marrja e abdesit dhe falja e namazit është ilustruar me foto, në mënyrë që të mësohet më lehtë nga fillestarët e çdo moshe. Meqenëse ilmihali është hartuar për fillestarët, jemi mjaftuar me vendosjen e fusnotave vetëm për ajetet dhe hadithet.
Në libër janë shtjelluar në fillim kushtet e besimit, si baza dhe themeli i Fesë Islame, sepse çdo gjë është e lidhur me besimin dhe bindjen. Adhurimi dhe morali realizohen mbi themelin e besimit. Është folur gjerësisht për çështjet që lidhen me pastërtinë, meqenëse pastërtia është parakusht i hyrjes në namaz dhe për këtë duhet të ketë vëmendjen e duhur. Sigurisht që një hapësirë të gjerë, për shkak të peshës dhe rëndësisë që ka në jetën e besimtarit, i është rezervuar kapitullit të adhurimit. Ndërsa morali është fryti i pemës së besimit, pemë e cila kultivohet me zbatimin e përgjegjësive nga besimtari me mendimin se edhe nëse nuk e sheh Allahun ai vështrohet prej Tij. Myslimani shembullor është ai që kryen detyrat e tij të adhurimit ndaj Allahut dhe sillet mirë me njerëzit e tjerë. Parë në këtë kontekst, kapitulli i moralit është trajtuar me hollësi dhe rëndësi të veçantë.
Pavarësisht kujdesit të treguar, shpresojmë mirëkuptimin e lexuesit për ndonjë gabim ose mangësi të mundshme. Ndërsa Zotit të Madhëruar i lutemi që ky ilmihal të shërbejë me sukses, bazuar në qëllimin e tij drejt nxënies së njohurive fetare.