Imami ynë i përulur gjer në urtësi

EPSON scanner ImagePër besimtarët suni termi Imam është fjalë me ngarkesë semantike që ngërthen në rrafshin horizontal, kryesisht, dy kuptime, së pari atë të një modeli, të një shembulli, atë të kryetarit të komunitetit fetar, por dhe kuptimin e fjalës kalif (arabisht, besimtar apo drejtues i besimtarëve).

Duket kjo homonimi do të ketë qenë arsyeja se pse poliedriku luçid Vehbi Ismaili, u thirr thjesht, shkurt, por aq këtillimisht: Imam Vehbi Ismaili, që në brendësinë e vet përmbante njëherazi teologun, atdhetarin dhe dijetarin e letrave.

Nuk u shtuan pas fjalë që të përcaktonin titullin, sepse mbeti jo vetëm i veçantë, por dalloi si një figurë shumëplanëshe, mes më të mëdhenjve, që nuk do të harrohet shpejt. Duket me figurën e tij, përplotësohet maksima se e “madhërishmja” nuk ka si të mos jetë e thjeshtë, kur e thjeshtë nuk do të thotë se dëshmon të madhërishmen.

Titullin imam ia dhanë në ShBA, jo zyrtarisht, sepse kësisoj kishte cilësime shumë të larta zyrtare, të gjithë ata që patën fatin ta njohin, ta shohin apo ta dëgjojnë, por u pranua gjithësisht, shumë shpejt pati vlerë jo vetëm për atje, ku tashmë prehet qetësisht në paqen hyjnore, por për gjithë besimtarët shqiptarë gjithkund, dhe jo vetëm për ta.

Do të ishte kthyer në Shkodrën e vet, ndoshta, fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, me dinjitetin e të diplomuarit në Universitetin Al-Ez’her të Kajros, nga më të lashtët në botë, veçmas nën emocionet që i shkaktoi letra e të vëllait më të vogël, por porosia e dërguar fshehtazi në arabisht prej të atit, do t’i ndryshojë rrjedhën e jetës: “Sa dua të të kem unë pranë, nuk do asnjeri tjetër. Por, të këshilloj të mos gabosh të nisesh për atdhe se do të hedhësh veten në zjarr”.

Duket u përket: “Të tillëve që janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit” (Kur’ani, 2:35).

Më 1945, në fund të prillit, arrin në ShBA, i ftuar nga Shoqëria Shqiptaro-Amerikane Myslimane e Detroitit (Mi.). Mund të mbërrinte me aeroplan, sepse nuk kishte kohë për të humbur më, por zbarkoi në Nju Jork, ashtu si disa decenie më parë Faik Konica në Boston, bashkë me pasurinë e tij të paluajtshme, bibliotekën shumëgjuhëshe. Mes bashkatdhetarëve atje asokohe, mbisundonte fryma e Rilindjes Kombëtare, e ngjizur nga iluminizmi, si parakusht i krijimit të shtetit shqiptar, por edhe e shqiptarit, që kish nisur të bëhej në vitet e pavarësisë.

Një prej shërbimeve të tij të para duhet përmendur shërbimi i tij mortor për Mit’hat Frashërin: “Për herë të parë në Amerikë, ka theksuar Imami, shërbimet për të u bënë në gjuhën shqipe”.

Ashtu i vogël në trup, madje edhe me probleme shëndetësore, që i ishin shfaqur qysh herët, por me besimin e fetarit atdhetar dhe të misionarit, iu përvesh punëve të shumta të krijimit të institucionit fetar islam, por pa iu ndarë për asnjë çast studimeve teologjike islame, veprimtarisë kombëtare si dhe krijimtarisë e diturisë, në përgjithësi.

Vite të tëra kish jetuar pranë Saharës me mantelin e vet të purpurtë, por për të Saharë ishin ideologjitë antihumane, që të lyera me utopi sociale nxitnin masat, i përpunon ato për t’i hedhur kundër shtresave të mesme dhe pastaj kundër elitave. Sahara e zezë i mori vëllain, kurse ajo e kuqe i “zhduku” vëllain tjetër. Lajmet që vinin prej Shqipërisë, dhe jo vetëm prej saj, e motivonin t’i ngjitej më fort së vërtetës, së përjetshmes, i bindur se utopitë ishin të përkohshme.

Tërë asaj ligësie iu përgjigj me butësi, urtësi e mirësi. E kishte me tepri brenda vetes, ndaj nisi ta përpjesëtonte atë, duke marrë rezultate të progresionit gjeometrik. Rregulli i Florinjtë, si xhevahiri i tij, duke ndihmuar bashkatdhetarët e tij përreth, i shtronte atij rrugën e arritjeve.

E kishte dhuntinë e përkthimit, që i ishte shfaqur qysh në Medresenë e Tiranës, por akrost ishin tek Human Touch (Prekja Njerëzore) i pëlqente ta recitonte në anglisht. Dhe pas saj përsëri punë e mund.

Kishte marrë me vete dramën e shkruar gjatë periudhës së studimeve në Kajro, dhe herë pas here hidhte në skeda copa replikash, batuta…, fillimet e përkthimeve fetare, bashkë me ato artistike.

Afër pati Baba Rexhepin, i cili gjithashtu, veç veprimtarive fetare e kombëtare, nuk i ndahej studimit. Në teqenë, që ai çeli në Detroit, gjente gjithnjë studentë, nga universitete të ShBA apo dhe nga bota, të cilët kryenin doktorimin nën kujdesin e tij. Bisedonte me ta dhe kur kthehej në zyrën e vet në Harper Woods, në një nga lagjet më të pasura të Detroitit, i vihej punës me më tepër vrull.

Në fillimet e veta në ShBA, të dyve nuk iu mungoi këshilla e Fan Nolit, që e kishte mik prej babait të vet, por ditën ta nderonin, duke i dhënë lamtumirën e fundit me panegjirika që janë model në zhanrin e vet. Ashtu si Noli me ta, vepruan të dy me bashkëpatriotët e tyre të krishterë, kësisoj nuk u ndanë nga Zef Oroshi, themeluesi i Kishës Katolike.

E kishin akuzuar (i ligu të mundon e të turpëron, thonë), porsa mbërriti në Tokën e Lirisë, si të dërguarin e mbretit Zog I, ndonëse i ati kishte mërguar gjatë, kur Zogolli erdhi në pushtet. Për shërbesën fetare, që i bëri frashëlliut famëmadh, gjithashtu vijoi përgojimi, por ai e dinte, madje e shprehte, se nuk e kishin me të, por me besimin fetar, ndaj iu sqaronte miqve se kush i përhapte, edhe atje ku shteti i falej Zotit. AIC (Qendra Islamike Shqiptare) në Detroit u bë vatër edhe e emigrantëve politikë, që herë pas here strehoheshin në ShBA. Në bibliotekën e madhe të kësaj Qendre, që të dielave kthehej në shkollë e qendër kulture kombëtare, kemi gjetur revistën Krahu i Shqiponjës, të cilën e kishte krijuar me mund e dinjitet çami Bilal Xhaferri.

E vranë, më ka përsëritur aq herë, por nuk hyri në bisedë kur unë iu drejtova një çami që jetonte në Çikago, i njohur i Bilal Xhaferrit, siç tha, i cili kishte ardhur atë ditë në AIC për vizitë, që të dija të vërtetën e vrasjes së studentit part time të Musine Kokalarit, laureates të Universitetit të Romës, krijueses simbol, që dashurinë për jetën e artin e kishte shkrirë në një, e cila aso kohe ishte e internuar atje ku ai punonte, duke fshehur biografinë.

Vijonte e vijonte ndër vite përkthimin e Kur’anit të shenjtë, shpirt e dritë për të, sepse ishte në krah të Ferid Vexhdiut, i cili sugjeronte se duhej të ndihmoheshin besimtarët që kërkonin të njihnin burimin, e megjithëse në anë kundërt me mendimin e Haxhi Vehbi Dibrës, ia botoi librin Ç’urdhëron Kur’ani (Harper Woods, Mich. 1992), sepse ishte për diversitetin e metodave të edukimit, si fetar i tolerancës, që diti t’i mos i qaset fanatizmit metodik e metodologjik.

Që në të gjallë të vet zuri vendin e personalitetit të shkencës islame në të gjitha mjediset shqiptare. Në fondin e bibliotekës islame në gjuhën shqipe, ai zë një vend dinjitoz, për atë punë këmbëngulëse që ka bërë në fushën e studimeve dhe të botimeve islame.

I takon brezit të të lumturve, sepse ndër të paktët e së shkuarës sonë, e cila ishte bërë proverbiale në mohimin e vet, u nderua për së gjalli (1996), duke marrë dekoratën “Pishtar i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha.

Imam Vehbi Ismaili, i cili u nda nga jeta në vitin 2008, ishte një ndër ata klerikë që i mbeti besnik traditës shqiptare për ta lidhur ngushtë besimin fetar me dashurinë për atdheun. Binomi FE-ATDHE ishte burimi i forcës dhe njëherazi i suksesit të tij.

 

Shtëpia botuese Logos-A në Maqedoni, shtypi më 2009, me rastin e përvjetorit të tij të lindjes, përmbledhjen tetëvëllimëshe me shkrimet dhe përkthimet e Imam Vehbi Ismailit.

Tradita shqiptare e tolerancës fetare është një dukuri tashmë proverbiale. Për të feja i ndihte bashkimit me shumëllojshmërinë e besimeve. Ndaj e duartrokisnin edhe në kishë, siç shkruan gazetari L. Dajçi për tubimin në kishën e Shën Injacit pranë Universitetit të San Franciskos në Kaliforni, më 1985: “Fjala e tij u duartrokit me entuziazëm të papërshkruem e të papërmbajtun nga kongregacioni, gja tepër e rrallë në kishat katolike”.

Imam Vehbiu, përveçse njeri i fesë, ishte edhe një patriot, që ndihmoi për ta çuar më tej vëllazërimin mes shqiptarëve të Amerikës, pavarësisht nga besimet e ndryshme të tyre.

Në historinë shqiptare, thoshte shpesh Imam Vehbi Ismaili, do të shohësh që klerikët kanë qenë prijës në përpjekjet për të fituar lirinë; qoftë katolikët, qoftë myslimanët, qoftë orthodoksët: “Një klerik i ndershëm, nuk e tradhton atdhenë kurrë”. E ktheu AIC në vatër Fetare e Kombëtare, ku priste, këshillonte dhe përcillte me uratën e tij të gjithë ata që ishin misionarë të shqiptarisë. Si largoheshin, ai falej për ta. Shumë prej atyre vizitorëve të nderuar nuk janë më, e sigurt është që të gjithë i kanë zënë uratat e tij.

Harper Woods është vetëm një lagje luksoze a një qytezë e Detroitit të madh, atje ai ngriti AIC, vatrën e ngrohtë shqiptare, pranë kishte shtëpinë e vet, bashkëshorten e tij të urtë e të përkushtuar, 3 fëmijët, të cilët e mbështetën gjithë jetën, u dhanë emocionin familjar funksioneve të veprimtarisë së tij. Por si thoshte Witmani, qytet i madh nuk është ai që ka shumë njerëz, por dhe një vend i vogël, që ka një njeri të madh.

nga PROF. AS. DR. RAHIM OMBASHI (Revista Drita Islame, Shkurt 2013)

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë