Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, së bashku me Drejtorin e Vakf- Investimeve dhe Financave në KMSH, z. Edison Hoti, Myftiun e Pukës, z. Gëzim Kopani, Drejtorin e Shoqatës “Mirësia” z. Korab Kaja, Kryetarn e Bashkisë Pukë, z. Gjon Gjonaj, Famullitarin e Kishës Katolike Pukë, z. Giovani Fiochi, përfaqësues të partive politike, si dhe besimtarë të shumtë, inauguruan fillimin e punimeve të xhamisë së Kodër Hanit në Pukë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu falënderoi kontribuesit, myftininë e Pukës, Bashkinë e Pukës si dhe të gjithë faktorët që kanë ndikuar në fillimin e punimeve për këtë xhami e cila mban edhe një rëndësi historike për këtë qytet.
“Xhamitë janë një derë drejt adhurimit të Zotit, një shenjë e dashurisë së Tij ndaj njeriut, si dhe një vatër e edukimit me vlerat e larta të Islamit. Islami na urdhëron në kryerjen e veprave të hajrit dhe ne duhet te garojme ne kryerjen e veprave te mira. Prandaj gjej rastin të falënderoj të gjithë atë që bënë të mundur fillimin e punimeve të kësaj xhamie”, tha ai.
Myftiu i Pukës, z. Kopani falënderoi donatorët dhe të gjithë institucionet dhe individët që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj xhamie.
“Falënderimet i takojnë Allahut xh.sh i cili na mundësoi që të bashkohemi në këtë ditë të veçantë për të ndërtuar Xhaminë e vjetër të Kodër Hanit. Për mua është një ditë shumë e veçantë pasi Allahu më ka dhënë mundësi që të jem pjesë e vendosjes së themelit të kësaj xhamie shumë të rëndësishme e historike për fenë islame në rrethin e Pukës:, tha myftiu i Pukës.
Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Kryetari e Bashkisë së Pukës, z. Gjon Gjonaj, i cili tha se kjo xhami do të jetë një vlerë e shtuar për të gjithë besimtarët dhe qytetarët e Pukës.
Gjithashtu në këtë ceremoni përshëndetën edhe Famullitari i Kishës Katolike Pukë, z. Giovani Fiochi, përfaqësues të partive politike si dhe kryeplaku i fshatit.
Pas përfundimit të fjalëve përshëndetëse, të pranishmit inauguruan fillimin e punimeve duke hedhur simbolikisht gurin e parë në themelet e xhamisë.
Më pas ceremonia vijoi me vendosjen e gurit të parë të fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së Kodër Hanit.
Xhamia e Kodër Hanit në Pukë është rreth 400 vjeçarë. Sipas disa të dhënave ajo daton nga viti 1523.
Xhamia do të ndërtohet tek vendi ku ka qenë xhamia e vjetër.