Ditën e djeshme, në ambientet e “Tirana International Hotel” u inaugurua projekti i iftareve, i mundësuar nga Mbreti i Arabisë Saudite, Kujdestari i dy xhamive të Shenjta.
Ky projekt, i sjellë në vendin tonë nga Ministria e Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite dhe që do të zbatohet nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nëpërmjet myftinive në rrethe, konsiston në dhjetëra iftare që do të shtrohen për besimtarët përgjatë gjithë muajit të bekuar të Ramazanit. Po ashtu, pjesë e këtij projekti janë edhe 5 ton hurma arabe që do të shpërndahen si çdo vit për besimtarët.
Në ceremoninë e inaugurimit, e cila u shoqërua më pas me iftarin e parë të këtij projekti, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, Përfaqësues nga Atasheu Fetar i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Bosnje Hercegovinë të cilët do të mbikqyrin zbatimin e projektit, përfaqësues diplomatik të vendeve arabe në vendin tone, si dhe rreth 130 besimtarë të ndryshëm të kryeqytetit.
Në fjalët e tyre të rastit, kryetari Spahiu dhe ambasadori Hifdhi, shprehën falenderimet e tyre karshi Mbretit të Arabisë Saudite për mundësimin e këtij projekti, i cili do t’i shtojë edhe më shumë atmosferën këtij muaji të begatë në të cilin ndodhemi.
Më tej, të pranishmit çelën iftarin e shtruar me këtë rast.