Nën një ceremoni të ngrohtë shpirtërore është inauguruar xhamia e re e fshatit Blacë, Pogradec, ceremoni në të cilën morën pjesë: Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shipërisë, z. Taulant Bica, Drejtori i Vakf-Investimeve në KMSH, z. Edison Hoti, Myftiu i Pogradecit, z. Namik Mahmutllari, Myftiu i Korçës, z. Ledian Cikalleshi, Përfaqësues nga Ambasada e Kuvajtit, Donatorët, Drejtori i Fondacionit “Mirënjohja”, z. Samed Shehu, si dhe imamë e besimtarë të shumtë të zonës dhe fshatrave përreth.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Nënkryetari i KMSH-së, z. Bica, shprehu falenderime ndaj donatorëve nga shteti i Kuvajtit dhe të gjithë atyre që kontribuuan dhe bënë të mundur ndërtimin e kësaj vepre të hajrit.
“Ndërtimi i xhamive është një bamirësi e madhe që i bëhet shoqërisë, pasi ky vend do të jetë djep i formësimit të besimit dhe adhurimit ndaj Zotit të botëve.” – theksoi ai gjatë fjalës së tij.
Përshëndetje të rastit mbajtën edhe të ftuarit e tjerë të nderit të cilët përcollën mesazhe të shumta të paqeje, harmonije dhe bashkëpunimi.
Pas përfundimit të kësaj ceremonie, të lartëpërmendurit prene në mënyrë simbolike shiritin e përurimit si dhe vizituan bashkërisht ambientet e brendshme të xhamisë.