Është inauguruar këtë të premte xhamia e re në lagjen “Ali Demi” në Tiranë.
Në ceremoninë e inaugurimit përpara namazit të xhumasë mori pjesë, Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, Deputeti Shpëtim Idrizi, Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 1m Shpëtim Cami, Myftiu i Tiranës H. Ylli Gurra, anëtarë të kryesisë së KMSH-së, si dhe qindra besimtarë të zonës.
Ceremonia u hap me këndim Kur’ani nga imami i kësaj xhamie Hysni Merja.
Kryetari i KMSH-së z. Bruçaj në fjalën e tij theksoi se ndërtimi i një xhamie të tillë në këtë lagje ishte mjaft i domosdoshëm, për shkak edhe të numrit të madh të besimtarëve myslimanë që ka kjo zonë dhe besimtarëve që çdo ditë e më tepër po rritet.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, Kryetari i Njësisë Bashkiake, si dhe Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.
Më pas xhamia u tejmbush nga besimtarët, ku u thirr ezani i parë dhe u fal xhumaja e parë në këto ditë të bekuara Ramazani, në këtë objekt të rëndësishëm adhurimi, ku hutbeja u mbjat nga myftiu Gurra.
Toka për ndërtimin e xhamisë është dhuruar nga familjarët e z. Abdyl Zhegu.
25 Korrik 2014