Instituti i Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi”, organ i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, zhvilloi sot, në ambientet e Kolegjit Universitar “Bedër”, ceremoninë e diplomimit të studentëve të programit 1 vjeçar për formim të përgjithshëm fetar.

Ky trajnim synoi t’u ofronte studentëve njohuritë bazë fetare në lëndët Kuran, Hadith, Tefsir, Fikh, Akaid, Histori Islame, etj.

Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm: Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Nënkryetari i KMSH-së e njëkohësisht koordinatori i institutit, z. Taulant Bica, Kryetari i Bordit të Adimistrimit të KU “Bedër”, z. Ali Zaimi, Drejtori i Kulturës dhe ai i Arsimit në KMSH, z. Dorian Demetja dhe z. Elton Karaj, si dhe myftinj, imamë, pedagogë dhe studentët që u bënë pjesë e këtij trajnimi përgjatë gjithë vitit që lamë pas.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, pasi uroi studentët për përfundimin me sukses të këtij programi, falenderoi të gjithë organizatorët për angazhimin dhe punën në këtë kontekst. Më tej, ai i siguroi ata për mbështetje të vazhdueshme institucionale në lidhje me aktivitetin në vazhdim.

Studentët i përshëndetën gjithashtu Nënkryetari Bica, z. Zaimi, z. Demetja, z. Karaj, Myftiu i Peshkopisë, z. Muis Kurtulla dhe ai i Vorës, z. Baftjar Këllëzi. Në fjalët e tyre, ata shprehën vlerësim të lartë për studentët pjesëmarrës dhe ju uruan atyre suksese në praktikimin e këtyre dijeve të marra përgjatë gjithë trajnimit.

Më pas, studentët e diplomuar nga ky vit u pajisën me certifikatat përkatëse, certifikata të cilat ua dorëzoi personalisht Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu.

Në vitin e tij të dytë të aktivitetit, Instituti i Studimeve Islame “Hafiz Sabri Koçi”, diplomoi 36 studentë, djem dhe vajza. Kujtojmë se vitin e kaluar ishin 40 të tillë.

 

 

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë