FOTO (8)

Tiranë, më 14 nëntor 2013

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane) si dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, jemi duke ndjekur me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore, të cilat po marrin një karakter gjithnjë e më popullor, në lidhje me importin dhe shkatërrimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Në lidhje me këtë çështje do të donim t’ju bashkoheshim këtyre shqetësimeve, duke parë rrezikun dhe përmasat që përmban një çështje e tillë.

 

Vendin tonë Zoti e ka bekuar me shumë pasuri dhe burime natyrore, por ai prej vitesh po vuan nga trajtimi dhe shfrytëzimi i pa kriter që po i bëhet, duke çuar në shkatërrimin e sipërfaqeve të tëra pyjore dhe kullotave si dhe në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit. Deri më tani është bërë shumë pak për të ndalur këtë katastrofë natyrore, ndërkohë që ndërgjegjësimi qytetar mbi këto çështje lë shumë për të dëshiruar. Kësaj situate të trishtë i shtohet edhe ngjarja tragjike e shpërthimit të fabrikës së demontimit të armatimeve ushtarake në fshatin Gërdec, shumë pranë kryeqytetit të vendit.

 

Jemi të mendimit se vendi ynë është shumë larg diskutimit dhe për më tepër realizmit të një ndërmarrje të tillë, si ai i depozitimit dhe shkatërrimit të armëve kimike këtu, ku siç duket, jo vetëm që shtetit i mungojnë kapacitetet e nevojshme për një sipërmarrje të tillë, por gjithashtu një gjë e tillë mund të përbënte një precedent shumë të keq në të ardhmen që vendi ynë të kthehej në një “depo” e mbeturinave dhe plehrave të rrezikshme.

 

Për këto arsye dhe të tjera që janë shprehur këto ditë me të drejtë nga shoqëria civile, i kërkojmë shtetit shqiptar, politikanëve dhe autoriteteve të vendit që të refuzojnë absolutisht, tani e tutje, pranimin e armëve kimike dhe shkatërrimin e tyre në vendin tonë si dhe të angazhohemi të gjithë së bashku në ndërgjegjësimin dhe ruajtjen e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë.

 

Capture

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë