Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka finalizuar nënshkrimin e marrëveshjes së dixhitalizimit të Fondit Arkivor të KMSH-së në Arkivin Qendror të Shtetit, duke filluar kështu punën për verifikimin dhe skanimin e plotë të këtij fondi.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit Qendror të Shtetit z. Gjet Ndoj. Dy drejtuesit e institucioneve përkatëse shprehen kënaqësinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi, e cila do të jetë një vlerë për të dy institucionet e lartpërmendura.
Ky projekt përbëhet nga disa faza, ku si filim do të bëhet skanimi i plotë i Fondit të Komunitetit Mysliman pranë Arkivit Qendror të Shtetit, i përbërë nga qindra mijëra faqe dokumente historike, që nga koha e pavarësisë më 1912, deri më 1923 dhe më pas me themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar i gjithë komunikimi zyrtar dhe marrëdhëniet e KMSH-së me institucione të ndryshme zyrtare shtetërore, myftinitë, medresetë, etj., deri në mbylljen e tij më 1967.
Financimi i kësaj faze, që është edhe më e rëndësishmja është marrë përsipër nga biznesmeni kuvajtian, z. Mohammad Al–Faresi, i cili para disa kohësh pati edhe një vizitë në KMSH, ku u takua me kryetarin z. Bruçaj. Faza e dytë përbëhet nga indeksimi sipas tematikës dhe dosjeve përkatëse të secilës çështje, e cila do të realizohet pas mbledhjes së materialit arkivor të dixhitalizuar.
Komuniteti Mysliman pritet të themelojë Arkivin e vet dixhital brenda kompleksit të Namazgjasë, pas mbarimit të punimeve, ku do të ketë gjithashtu edhe një Bibliotekë, Qendër Kulturore dhe Muzeun e parë Islam në Ballkan.
Ky projekt i rëndësishëm i KMSH-së do të menaxhohet nga Drejtoria e Vakf-Investimeve dhe Drejtoria e Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Për këtë fazë janë punësuar gjithashtu specialistë, të cilët punojnë me orë të plota në realizimin e këtij proçesi.
Vlen për t’u theksuar se Arkiva mbetet një pasuri e rrallë, që vlen jo vetëm për ruajtjen e historikut institucional, por edhe një burim i pashtershëm për të zhvilluar studime të ndryshme në të ardhmen.