Pas përfundimit të ceremonisë së faljes së Kurban Bajramit në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ashtu si çdo vit tjetër, hapi dyert për të pritur urimet me rastin e kësaj feste.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti urimet nga Kryetarja e Parlamentit, znj. Lindita Nikolla, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali, Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, nga titullarët e komuniteteve fetare të vendit tonë, nga akademikë, drejtues të institucioneve qendrore e lokale, publike e private, personalitete si dhe nga qytetarë të shumtë.
Urimet e tyre i përcollën edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera mike, të akredituara në Tiranë.
Në mesazhet e tyre drejtuar Kryetarit Spahiu, ata shprehën urimet dhe përshëndetjet më të sinqerta, si dhe vunë theksin te simbolika e sakrificës dhe solidaritetit që përcjell Kurban Bajrami në vendin tonë dhe mbarë botën.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, falënderon të gjithë ata që morën pjesë në këto vizita si dhe të gjithë shqiptarët që kanë dërguar mesazhe urimi me rastin e kësaj feste.