Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka përgatitur një plan të detajuar masash organizative për krijimin e kushteve të favorshme dhe lehtësirave për festën e Bajramit e cila si çdo vit do të organizohet në segmentin përpara ish – Hotel Dajtit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Ky plan vjen në kuadër të organizimit sa më të mirë të festës së Bajramit, në mënyrë që të krijohen kushtet optimale për akomodimin dhe qarkullimin besimtarëve myslimanë, duke mos cenuar hapësirën publike dhe krijuar lirshmëri në lëvizjen e qytetarëve.
Vendi i faljes është pozicionuar ashtu siç është bërë tashmë traditë, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Duke filluar nga ura pranë ish-Hotel Dajtit deri në lulishten e sheshit “Skënderbej”. Gjithashtu vend falje do të jetë dhe segmenti i rrugës “Myslym Shyri”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes, që do të shërbejë për faljen e grave.
Nga pikëpamja e akomodimit e gjithë sipërfaqja e faljes do të jetë e shtruar me material të përshtatshëm për t’u falur, kështu që nuk do të jetë e nevojshme për besimtarët të marrin letra apo gazeta, të cilat përveçse nuk janë të përshtatshme për faljen, krijojnë dhe ndotje të ambientit.
Nga ana tjetër, KMSH në bashkëpunim me Policinë Rrugore ka hartuar një plan masash për menaxhimin e lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve. Kështu, gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të ditës së enjte, do të ketë kufizim të lëvizjes së mjeteve në bulevard, pikërisht në segmentin nga ura pranë ish-Hotel e Dajtit deri te sheshi “Skënderbej” si dhe në pjesën jugore të sheshit “Skënderbej”.
Trotuaret do të jenë të lira për lëvizjen e këmbësorëve përgjatë gjithë gjatësisë së tyre duke u kufizuar me vendin e faljes së besimtarëve me ndarëse metalike dhe shirit sinjalizues.
Ky plan organizativ i KMSH do bëjë të mundur realizimin e kësaj ceremonie madhështore në mënyrë sa më të mirë për besimtarët dhe qytetarët e Tiranës.
Fitër Bajrami është ditën e nesërme (8 gusht 2013). Ceremonia e faljes së Bajramit do të bëhet si çdo vit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në sheshin përpara ish- Hotel Dajtit. Bajrami falet në orën 06:23.