Në datat 3-4 dhjetor 2014, nën kujdesin e Sheikhul-Az’her, Prof. Dr. Ahmed Tajjib, u organizua në Kajro të Egjiptit, konferenca ndërkombëtare “Përballja ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit”, ku morën pjesë dijetarë islamë, studiues, politikanë e udhëheqës fetarë nga 120 vende të ndryshme të botës, si edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare.
Shqipëria u përfaqësua nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, i cili foli mbi respektin e diversitetit dhe bashkëjetesën ndërfetare.
“Historia na ka treguar se shumica e kulturave të mëdha u zhvilluan nëpërmjet marrëdhënieve me kulturat e tjera dhe jo nëpërmjet shtypjes e përçmimit. Diversiteti fetar dhe kulturor në asnjë lloj rrethane nuk nënkupton armiqësinë mes njerëzve, përkundrazi, është shkak për përparimin njerëzor, nëpërmjet të cilit shfaqet harmonia dhe respekti ndaj diversitetit”, u shpreh nënkryetari Spahiu.
Ndërsa duke iu referuar Shqipërisë, ai theksoi se modeli i shoqërisë shqiptare është një realitet i ndërtuar mbi historinë e vjetër krah përkrah me popujt, civilizimet, kulturat dhe besimet e ndryshme. “Shqipëria ka treguar se është një model i tolerancës dhe harmonisë mes feve ndër shekuj”, nënvizoi z. Spahiu.
Deklarata e përbashkët e konferencës konkludoi se çdo lloj grupimi dhe ideologjie që drejton kah terrorizmi dhe dhuna nuk ka asnjë lidhje dhe burim nga Feja Islame dhe se diversiteti i besimeve është element civilizues.
Konferenca gjithashtu bëri thirrje për një takim botëror për bashkëpunim, bazuar në paqen dhe përhapjen e drejtësisë në kontekstin e respektit të diversitetit të besimit e racave dhe shuarjes së konflikteve të ndryshme.
Gjatë qëndrimit dy ditor në Kajro, nënkryetari Spahiu zhvilloi një takim me myftiun e Egjiptit, Sheuki Ibrahim Alam, ku u diskutua për bashkëpunime të ndryshme mes dy institucioneve. Gjithashtu ai u takua edhe me ish ministrin e Vakëfeve, Prof. Dr. Hamdi Zekzuk.