Gruaja nder shekuj (3)

Me rastin e festave të Nëntorit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Zyra e Gruas), organizoi programin “Gruaja shqiptare ndër shekuj”, ku u evidentua roli dhe kontributi i gruas shqiptare në periudha të ndryshme të historisë.

 Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi, u shpreh se gruaja shqiptare në periudha të ndryshme historike ka treguar që, në momente vendimtare, ka qenë pjesë e rëndësishme e ngjarjeve të mëdha kombëtare. Ajo ka kontribuar në përpjekjet për liri e pavarësi, në arsim e kulturë, si dhe në të gjitha sferat e jetës sonë shoqërore.

“Dua të theksoj faktin që Feja Islame, sikurse ndonjëherë padrejtësisht pretendohet, nuk e pengon gruan që të jetë pjesë aktive e jetës shoqërore, duke marrë përsipër të gjitha detyrat drejtuese që edhe burrat marrin. Madje Islami i inkurajon gratë, që në përshtatje edhe me natyrën, delikatesën dhe brishtësinë shpirtërore që i karakterizon, të luajnë rol sa më aktiv në zhvillimin e shoqërisë”, nënvizoi Zaimi.

Ndërsa Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi, u shpreh se gruaja është një forcë e madhe e kombit dhe shoqërisë. Ajo gjithashtu vlerësoi Zyrën e Gruas në Komunitetin Mysliman për organizime të tilla të herëpashershme që, sipas saj, janë një kontribut i vyer në dëgjimin e zërit të femrës shqiptare.

Programi u hap me këndimin e himnit kombëtar si dhe me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër mbi rolin dhe kontributin e gruas shqiptare ndër shekuj, ku në rrethana të ndryshme kohore, dolën personalitete të shquara, veprat e të cilave tejkaluan kufijtë kombëtarë e botërorë, ku gruaja tregoi se ka të njëjtin potencial intelektual e profesional me gjininë tjetër, duke vijuar më pas me kumtesat: Roli dhe kontributi i gruas shqiptare nga Dr. Brikena Smajli, Pedagoge; Modeli i gruas ideale (myslimane shqiptare), Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas – KMSH; Gjurmë qytetërimesh të ndryshme në veshjet popullore shqiptare nga Afërdita Onuzi, Etnografe.

Programi i cili u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u mbyll me një program artistik nga vajzat e Medresesë së Tiranës dhe një sfilatë me kostumet popullore shqiptare.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Kancelari i KMSH-së Ylli Cikalleshi, përfaqësues të pushtetit qendrorë, dhe atij lokal, deputete, përfaqësuese nga trupi diplomatik në Tiranë si dhe personalitete të shumtë të kulturës dhe artit.

Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej.

24 Nëntor 2014

 

 Ali Zaimi (1) Nevila Xhindi (1)Ali Zaimi (2) Gruaja nder shekuj (1)  Gruaja nder shekuj (5)Gruaja nder shekuj (6)Gruaja nder shekuj (8)Gruaja nder shekuj (2)Gruaja nder shekuj (4)

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë