Sot paradite, në ambientet e Universitetit Bedër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (Drejtoria e Burimeve Njerëzore), në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Islame në Bedër organizuan seminarin me temë “Islami dhe komunikimi në publik”, me imamët e Myftinive të Gjirokastrës, Fierit, Vlorës, Sarandës, Përmetit dhe Kuçovës.

Në seminar morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, drejtori i Burimeve Njerëzore, z. Dorian Demetja, drejtori i Qendrës së Studimeve Islame në Bedër, Dr. Atakan Dereligolu, myftiu i Gjirokastrës, z. Armand Islami, myftiu i Përmetit, z. Gramos Blliku, imamë, si dhe pedagogë të Universiteti Bedër.

Seminari u çel me ajete të Kur’anit Famëlartë, lexuar nga Zarfi Rizal, student nga Indonezia në Departamentin e Shkencave Islame.

Nënkryetari i KMSH-së. z. Bujar Spahiu në fjalën e tij foli për rëndësinë e thirrjes në Islam. “Kumtimi është njoftimi i urdhërit të Allahut për të gjithë njerëzimin dhe duhet ta kryejmë këtë detyrë ashtu sikur ajo e meriton. Duhet patur kujdes dhe të ecim në bazë të rregullave dhe vendimeve të marra nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”, tha z. Spahiu.

Drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, z. Dorjan Demetja foli rreth detyrës së imamit dhe marrëdhënies me xhematin dhe myftininë. “Detyra e imamit është detyrë profetike. Qëllimi kryesor është predikimi sa më i mirë dhe sa më i qartë tek njerëzit. Kjo detyrë ka një rëndësi shumë të veçantë dhe secili nga ne duhet të jetëshumë i kujdesshëm me sjelljet dhe veprimet e tij”, tha z. Demetja.

Drejtori i Qendrës së Studimeve Islame, Dr. Atakan Dereligolu, falenderoi imamët për pjesëmarrjen dhe foli mbi mënyrën e komunikimit të Profetit Muhamed a.s. “Profeti Muhamed a.s e solli shpalljen hyjnore në një formë që njerëzit mund ta përceptojnë dhe ndjejnë. Ai mori parasyshë veçantitë psikologjike të individëve dhe të shoqërisë në mënyrë që ta përcjellë mesazhin sa më mirë dhe të kuptueshëm. ”, tha z. Dereligolu.

Arti i të folurit në publik ishte një tjetër temë e cila u prezantua nga Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit, z. Ramadan Çipuri.

Ndërsa pedagogu Dr. Muhammed Muteëel’li solli për imamët disa mënyra se si një imam të jetë një hatib i suksesshëm, metodat e kumtesës dhe karakteristikat e kumtuesit.

Në mbyllje së seminarit sekretari i Qendrës së Studimeve Islame në Bedër, z. Hysni Skura prezantoi departamentin e Shkencave Islame.

Në fund u shpërndanë çertifikatat për imamët pjesëmarrës në seminar.

/KMSH/

19.12.2015

IMG_0810IMG_0790IMG_0837IMG_0795IMG_0826 IMG_0870 IMG_0809IMG_0792

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë