Komuniteti Mysliman ka bërë të mundur sigurimin e qindra pakove me ushqime për të ndihmuar sadopak familjet në nevojë në muajin e Ramazanit.
Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, theksoi se është e domosdoshme të ndihmojmë nevojtarët dhe t’u bëhemi krahë të gjithë atyre që kanë nevojë për vëmendje dhe përkujdes, veçanërisht gjatë Ramazanit.
“Zoti na obligon me ndihmën e nevojtarëve dhe njerëzve pa përkrahje në çdo kohë, por në Ramazan Ai na fton të dhurojmë dhe të jemi më bujarë, pasi në këtë muaj bamirësia dhe bujaria dallon mbi gjithçka”, u shpreh z. Gurra.
Ndërsa z. Edvin Kuçi, drejtor i Zyrës së Çështjeve Sociale në KMSH, u shpreh se pakot e përgatitura nga Komuniteti Mysliman në bashkëpunim me shoqatën “Urtësia”, kanë kryesisht miell, oriz, sheqer, vaj, makarona, etj., produkte për të cilat këto familje kanë më shumë nevojë, e sidomos gjatë Ramazanit, kur ata i bashkohen bashkëfetarëve të tyre në agjërim.
Fushata e ndërmarrë nga Komuniteti Mysliman në kuadër të projekteve të Ramazanit kishte në fokusin e saj kryesisht familje të zonave periferike të Tiranës, duke përfshirë këtu edhe familje të komunitetit rom dhe egjiptian.
28 Qershor 2014