kmsh simpoxziun 2013“Problemet sociale dhe zgjidhja e tyre në rrugë profetike”, ishte tema e simpoziumit të organizuar paraditen e sotme nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në ambientet e Universitetit BEDER, në kuadër të Muajit të Vlerave Profetike.

Simpoziumi u hap me një pjesë nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli teologu Gazmend Teqja. Më pas fjalën e mori Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Haxhi Selim Muça, i cili, pasi falënderoi dhe uroi pjesëmarrësit për këtë ngjarje të shënuar, u shpreh: “Qëllimi më i lartë i njeriut në jetë është që të fitojë dashurinë e Krijuesit të tij. Rruga për ta plotësuar këtë qëllim kalon nëpërmjet mbështetjes në traditën e profetit Muhamed (a.s.).”

simpozium profeti 2013 (1)Ndërsa në lidhje me temën e simpoziumit Kryetari Muça shtoi: “Që një lider të pëlqehet dhe të pranohet nga njerëzit që e ndjekin pas, si dhe që ai të bëhet një njeri i besueshëm, duhet që të jetë në gjendje t’i zgjidhë të gjitha problemet që i përkasin shoqërisë. Profeti Muhamed i dha zgjidhje të gjitha situatave duke i kthyer madje në favor të tij dhe të besimtarëve. Sot shoqëria ka marrë plagë të thella morale e shoqërore. Pavarësisht masave dhe nismave të ndryshme që merren për parandalimin e tyre, ato vazhdojnë të jenë një shqetësim i vazhdueshëm. Kjo gjendje do të vazhdojë kështu, derisa të merret si referencë profeti Muhamed, si shembull ideal për edukimin e çdo brezi. Ndaj ne sot, më shumë se kurrë kemi nevojë për mësimet e tij universale, të cilat do të na udhëheqin drejt një jete më të bukur, më të qetë dhe me kënaqësinë e Zotit të fituar”.

simpozium profeti 2013 (6)Në këtë simpozium nuk ka munguar edhe përshëndetja e myftiut të Tiranës, z. Ylli Gurra. Pas urimeve të ngrohta në adresë të pjesëmarrësve, z. Gurra theksoi se kontributi më i madh që besimtarët mund të japin në shoqëri është që t’i shtyjnë njerëzit të përqafojnë njëri-tjetrin duke shfrytëzuar për këtë mësimet e larta të fesë islame që kanë në thelb paqen, dashurinë e harmoninë.

Aktiviteti vijoi me kumtesat e përgatitura nga teologët Bujar Spahiu, Elvis Naçi dhe Ferid Piku, si dhe drejtori i Kulturës në KMSH, Genti Kruja.

Nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu, foli për edukatën dhe moralin e shoqërisë vështruar në prizmin profetik. Mes të tjerash ai sqaroi se “Njerëzimi sot është i çorientuar duke u zhytur në vorbullat e krijuara nga boshllëqet morale e shpirtërore. Për edukimin e tij është synuar vetëm elementi material, kurse çështja qëndron ndryshe. Kur njërën anë të njeriut e përbën lënda dhe kjo botë, anën tjetër e përbën kuptimi, ideja dhe bota tjetër. Nëse njeriu do të kuptonte vlerat e tij shpirtërore dhe lëndore, pra t’i trajtonte të dyja së bashku, çdo gjë do të riparohej dhe ekuilibrohej. Vetë jeta e Profetit Muhamed dhe porositë e tij janë garanci në këtë drejtim”.

Ndërsa drejtori i Thirrjes në Islam në KMSH, z. Elvis Naçi foli mbi “Argumentet e Profetësisë së Muhamedit a.s.”. Ai theksoi se pasimi i profetit nga miliona njerëz anekënd botës sot, është argumenti më i madh që flet për profetësinë e tij.

 

“Muhamedi është njeriu më i veçantë i të gjitha kohërave. Një njeri i përsosur tek i cili mblidhen dhe pasqyrohen më së miri emrat dhe atributet e Zotit. Ai është një pishtar, kandil i vendosur nga Zoti në qiellin e njerëzimit.”

Ndërsa teologu Ferid Piku, foli mbi metodologjinë profetike dhe problemet sociale. Në fjalën e tij z. Piku theksoi se, ajo çfarë kemi lexuar nga ajetet e Kur’anit dhe që kemi dëgjuar nga historitë e Profetit tonë, është se asnjë profet i Zotit nuk ka qenë i izoluar nga hallet e njerëzve dhe qytetarëve të tij bashkëkohës. Nuk ka profet që përveç besimit të pastër te Zoti dhe paralajmërimit për të mos i vënë shok Atij, të mos ketë pasur për detyrë dhe zgjidhjen e një problemi social të kohës së tij.

Sipas z. Piku, shoqëria njerëzore ka ndryshuar shumë dhe shoqëria e sotme nuk është ajo e kohës së profetit Muhamed, por duhet të mos harrojmë se njeriu është po ai njeri, me të njëjtin shpirt, nefs e dëshira dhe në esencë problemet janë pak a shumë të njëjtat… Prandaj, – vijoi z. Piku, – metodologjia profetike në trajtimin e këtyre problemeve, vazhdon të jetë më e sakta dhe më e gjetura, se ai ishte profeti i Zotit, që korrigjonte dobësitë dhe të metat e krijesave të Zotit, ashtu si e di më mirë vetë Zoti.

Tema përmbyllëse ishte “Familja në Islam”, e mbajtur nga Genti Kruja, drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH. Në fjalën e tij z. Kruja u ndal në rëndësinë që Islami i kushton familjes, të cilën e sheh si garanci për krijimin e një shoqërie të shëndoshë dhe ideale. Krahas detajeve interesante që solli në lidhje me temën, ai iu referua disa studimeve të fundit për familjen, rezultatet e të cilave tregojnë se familjet e brumosura me besimin islam, kanë një nivel minimal të problemeve familjare.
Në mbështetje të këtij argumenti sipas tij, është edhe një studim i fundit i kryer me nxënësit e disa prej shkollave të mesme të kryeqytetit, i cili tregoi se në Medresenë e Tiranës problemet prindër-fëmijë, në krahasim me shkollat e tjera, janë shumë më të ulëta dhe se morali i shëndoshë dhe me përmbajtje fetare, që shndërrohet e praktikohet nga mësuesit dhe nxënësit medresistë, shërben si faktor i rëndësishëm për shoqërizimin e nxënësve adoleshentë me modelet e sjelljes humane më të fisme jo vetëm në marrëdhënie me prindërit dhe pjesëtarët e familjes, por edhe me shoqërinë.

Pjesë e simpoziumit ishte një miniprogram me ilahi i përgatitur nga grupi artistik i Universitetit BEDËR.

Për secilin nga pjesëmarrësit u dhurua revista “Drita Islame” dhe një trëndafil i shoqëruar me një mesazh të shkëputur nga Fjalët Profetike.

Në përfundim, nënkryetari Gazmend Aga i cili moderoi simpoziumin, teksa i ftoi të pranishmit në koktejin e organizuar me këtë rast, tha se aktiviteti i sotëm përbën një hap modest nga ana e Komunitetit Mysliman, i cili do të pasohet me organizime më të mëdha në mënyrë që, siç u shpreh z. Aga, ne si myslimanë të japim një kontribut konkret në zgjidhjen e plagëve të sotme sociale.

/Drita Islame/

 

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë