Pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, Znj. Neriman Gjinali përfundon detyrën e saj si drejtoreshë e Medresesë së Durrësit “Mustafa Varoshi” – Dega Vajza.
Me këtë rast, Komuniteti Mysliman i Shqipërës (KMSH) vlerësoi kontributin e saj duke i dorëzuar një certifikatë mirënjohjeje me motivacionin:
“Për përkushtimin e palodhur në edukimin e shumë brezave për shumë vite me radhë, përvojën e vyer, lidershipin dhe për punën e palodhur në drejtimin e Medresesë së Durrësit ‘Mustafa Varoshi’.”
Drejtoria e Arsimit pranë KMSH-së organizoi një takim të posaçëm ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve arsimore të KMSH-së, përfshirë medresetë dhe Kolegjin Universitar Bedër.
Gjatë takimit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, dhe drejtues të tjerë të institucioneve tona vlerësuan rolin dhe kontributin e Znj. Gjinali.
“Znj. Gjinali ka dhënë një shembull të shkëlqyer të lidershipit dhe përkushtimit ndaj edukimit të brezave të rinj. Kontributi i saj është një trashëgimi e vyer që do të vazhdojë të ndikojë pozitivisht në komunitetin tonë arsimor,” tha Kryetari Spahiu.
Gjatë fjalës së saj, Znj. Gjinali falënderoi KMSH-në dhe bashkëpunëtorët e saj: “Ka qenë një privilegj dhe përgjegjësi e madhe të drejtoj një institucion me traditë si Medreseja e Durrësit. Jam mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që kam marrë dhe krenare për arritjet e nxënëseve tona.”
Kontributi i Znj. Gjinali, që ka udhëhequr Medresenë me profesionalizëm dhe vizion do të vazhdojë të jetë një burim frymëzimi për institucionin dhe për brezat e ardhshëm.
KMSH dhe Medreseja e Durrësit “Mustafa Varoshi” do ta kujtojë gjithmonë si një figurë që ndikoi pozitivisht në zhvillimin dhe suksesin e saj.