Kolegji Universitar Bedër diplomoi brezin e 5-të të studentëve në një ceremoni të organizuar me këtë rast në Amfiteatrin e Tiranës.
Përpos studentëve të shumtë të cilët hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke mbyllur kështu një etapë mjaft të rëndësishme në jetën e tyre, në këtë ceremoni ishin të pranishëm Rektori i institucionit, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, stafi akademik dhe administrativ i Bedër, personalitete të shumtë si dhe familjarë e të afërm të të diplomuarve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KMSH-së, z. Bruçaj, pasi i përgëzoi studentët e pranishëm për mbylljen e këtij 3-vjeçari me plot vështirësi dhe i motivoi ata për të vazhduar më tej në rrugën e dijes, u ndal në punën e vazhdueshme e të palodhur të stafit të këtij institucioni për të nxjerrë në treg profesionistë të aftë në fushat ku ai vepron.
Ndërsa Rektori i Universitetit, z. Gjana, u shpreh entuziast për arritjet dhe formimin profesional të studentëve gjatë ciklit të parë të studimeve të kryera në Bedër. Sipas tij mbështetja ndaj të diplomuarve do të vazhdojë edhe pas diplomimit të tyre.
Aktiviteti vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës për studentët e parë të çdo programi studimi, 2 nga të cilët mbajtën fjalën përshëndetëse para të pranishmëve. Ceremonia vazhdoi më tej me ndarjen e certifikatave për të gjithë studentët e diplomuar. Në fund të aktivitetit, rreth 200 studentët e diplomuar nga ky vit akademik hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke mbyllur kështu një cikël mjaft të rëndësishëm në jetën e tyre dhe të Universitetit Bedër.
Vlen të theksojmë se vitin e ardhshëm akademik ky institucion do të hap edhe 7 programe të reja studimi, të tilla si: Bachelor ne Shkenca Kompjuterike, Bachelor në Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Bachelor në Marrëdhënie Publike dhe Komunikim Marketingu, Bachelor në Mësuesi arsim parashkollor, Master profesional në komunikim marketingu, Master profesional në mësuesi arsim fillor dhe Master profesional në teknologji informacioni në edukim.