Kolegji Universitar Bedër diplomoi brezin e 6-të të studentëve në një ceremoni të organizuar me këtë rast në Amfiteatrin e Tiranës. Tashmë kur janë mbushur tetë vite që nga themelimi, Bedër nxjerr në tregun e punës rreth 260 specialistë të rinj në fushën e Drejtësisë, Komunikimit, Shkencave Islame, Gjuhës dhe Letërsisë Angleze si dhe në fushën e Edukimit.
Përpos studentëve të shumtë të cilët hodhën në ajër kapelet e diplomimit duke mbyllur kështu një etapë mjaft të rëndësishme në jetën e tyre, në këtë ceremoni ishin të pranishëm Rektori i institucionit, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Bujar Spahiu, Kryetari i Fondacionit “H. Ali Korça”, z. Skender Bruçaj, Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, bisnesmeni Artan Dulaku, stafi akademik dhe administrativ i Bedër, personalitete të shumtë si dhe familjarë e të afërm të të diplomuarve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu vlerësoi Universitetin Bedër për vlerat dhe kontributin e tij, si dhe përgëzoi studentët e pranishëm për mbylljen e këtij cikli studimesh me plot vështirësi dhe i motivoi ata për të vazhduar më tej në rrugën e dijes.
“Universiteti Bedër ka shfaqur vlerat e tij në shumë fusha të jetës duke na ka nderuar të gjithëve. Unë sot gëzohem që studentë nga departamente të ndryshme do t’i shërbejnë vendit tonë me vlerat, përgaditjen dhe virtyt më të mira. Nesë universiteti ju ka mësuar rrugën si të mësoni, jeta do tju mësoi rrugët e komunikimit dhe produktivitetit”, tha kreu i KMSH-së.
Ndërsa Rektori i Universitetit, z. Gjana, përgëzoi studentët për suksesin e arritur, duke i inkurajuar ata që të përpiqen vazhdimisht në rrugën e dijes, rrugë e cila do t’i forcojë për të përballuar çdo sfidë të jetës.
Aktiviteti vazhdoi më tej me shpërndarjen e certifikatave të ekselencës për studentët e parë të çdo programi studimi, 2 nga të cilët mbajtën fjalën përshëndetëse para të pranishmëve.
Në fund, të gjithë studentët e diplomuar në programet bachelor dhe master u ngjitën në skenë për të hedhur kapelet e diplomimit duke përmbushur me sukses rrugëtimin e tyre në Universitetin Bedër.