Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shtron iftarin e parë të këtij Ramazani

Ditën e djeshme, në ambientet e “Tirana International Hotel”, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, shtroi iftarin e parë, iftar në të cilin morën pjesë besimtarë të shumtë, myftij, imamë, personalitete publike, ambasadorë, gazetarë, politikanë, zyrtarë qëndror, lokal etj, veçojmë këtu Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shtz. Bajram Begaj.

Në fjalën e tij të rastit, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe ju uroi agjërim të lehtë e të pranuar tek Allahu (xh.sh) të gjithë besimtarëve, u ndal në vlerat morale e shpirtërore që kultivon ky muaj i begatë tek të gjithë ne.

“Muaji i Ramazanit është një nga adhurimet tona më të larta, ku besimtarët e devotshëm privojnë veten nga ushqimi, uji, pa harruar edhe shumë sjellje të tjera jo të pëlqyeshme. Ky është muaji i Kuranit, muaji i mëshirës, paqes dhe solidaritetit njerëzor. Ramazani është muaj i fisnikërimit, forcimt të dashurisë dhe shpërfaqje e mëshirës. Në këtë muaj, përveç agjërimit, është e rëndësishme të rritet solidariteti mes nesh. Bëhuni zemërgjerë! Në pasurinë tuaj ka pjesë edhe i varfëri, ndihmojini ata.” – u shpreh kryetari Spahiu në fjalën e tij.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Begaj, i cili shprehu kënaqësinë e tij që këtë vit i bashkohet tryezës së iftarit të parë, të kthyer tashmë në traditë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

“Dëshiroj t’i uroj agjërim të lehtë e të pranuar të gjithë besimtarëve. Ramazani është muaji i paqes, mëshirës hyjnore dhe solidaritetit ndërnjerëzor. Është muaji i mirësisë ku dalin në pah cilësitë më të mira të njeriut si përkushtimi, toleranca, durimi dhe dashuria për Zotin e njëri-tjetrin. Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit! Të keni paqe e begati në familjet tuaja!” – tha ai.

Më tej, të pranishmit konsumuan iftarin e parë të këtij muaji të bekuar.

       

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë