Drejtor: Elton Karaj
Drejtoria e Arsimit ndjek dhe zbaton vendimet e Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për arsimin. Ajo harton programin mësimor unik të lëndëve fetare Islame për të gjitha shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe të larta në varësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Programi i lëndëve mësimore islame bëhet në përputhje të plotë me Shkollën Juridike Islame Hanefi dhe është i detyrueshëm për zbatim në të gjitha nivelet e shkollave jopublike të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ajo drejton, organizon dhe kontrollon të gjithë procesin mësimor dhe edukativ fetar islam në shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe të larta të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kurset fetare që funksionojnë pranë xhamive dhe kurset islame që organizohen nga shoqatat në qendrat kulturore në varësi të Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Drejtoria e Arsimit bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për realizimin e procesit mësimor edukativ në shkollat në varësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Mban marrëdhënie me institucione arsimore islame në vende të huaja në interes të zhvillimit dhe perfeksionimit të arsimit islam në Shqipëri.
Drejtori i drejtorisë së arsimit duhet të ketë kryer arsim të lartë përkatës teologjik ose laik dhe të ketë përvojë pune mbi 5 vjet.
Drejtoria e Arsimit është në vartësinë e Kryetarit të KMSH-së dhe merret me studimin e nevojave dhe kërkesave për çdo vit arsimor dhe planifikimin e kuadrit të nevojshëm arsimor për shkollat e sistemit parauniversitar, në bazë të programeve të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për lëndët laike dhe nga Kryesia e KMSH për lëndët fetare.