Drejtor: Dorian Demetja
Drejtoria e Kulturës ndjek dhe zbaton detyrat e Kryesisë së Komunitetit Mysliman dhe harton e ndjek planin vjetor të drejtorisë për të gjitha veprimtaritë kulturore Islame.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar duhet të ketë kryer fakultet laik ose teologjik islam, si dhe të jetë i specializuar në fushën e dialogut ndërfetar, si dhe të ketë botime të ndryshme. Drejtori i kësaj Drejtorie duhet të dijë të paktën një gjuhë të huaj dhe të ketë përvojë pune mbi 5 vjet.
Drejtoria e Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar përgjigjet dhe ndjek të gjitha llojet e veprimtarive kulturore, si simpoziume, konferenca, panele, aktivitete, tryeza të rrumbullakëta, botime librash me logon e KMSH-së, në lidhje me promovimin e Kulturës Islame si dhe të Dialogut Ndërfetar.
Drejtoria e Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar ka në varësi Departamentin e Dialogut Ndërfetar dhe Këshillin Botues.
- Departamenti i Dialogut Ndërfetar
Departamenti i Dialogut Ndërfetar në koordinim me të gjitha organet e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe në bashkëpunim me Komunitetet e tjera fetare tradicionale në vend dhe Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, mund të organizojë aktivitete të ndryshme për të promovuar dashurinë dhe tolerancën ndërfetare ndër shqiptarët, si dhe të nxisë me anë të të gjitha mjeteve, qofshin zyrtare, qoftë media e shkruar apo vizive, qofshin organizma vendase apo të huaj, që të japin ndihmesën dhe përkrahjen e tyre, për ta promovuar traditën e shkëlqyer të bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe harmonisë ndërfetare në vendin tonë, për ta çuar më tej atë, si dhe për t’ia trashëguar atë brezave që do të vijnë.
- Këshilli botues
Këshilli botues kryen këto detyra:
Studion nevojën e botimeve të literaturës Islame.
Përpunon botimet e vjetra Islame të domosdoshme për kohën.
Rekomandon dhe stimulon përkthimin e literaturës së re Islame.
Përgatit recensione të librave që përkthen e shpërndan, etj.
- Redaksia e revistave “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë”
Sektori i redaksisë përbëhet nga redaktorët dhe gazetarët, të cilët kryejnë dhe kontrollojnë të gjithë punën dhe veprimtarinë e shtypit të KMSH-së sipas statutit dhe rregullores së brendshme të KMSH-së.
Redaksia e revistës “Drita Islame” dhe “Zani i Naltë” ka detyrë të nxjerrë në kohë revistat, organizon procesin e shpërndarjes dhe të marketingut të saj, si dhe sistemon, pasuron dhe ruan arkivin e revistave.
Gazetarët e redaksisë kanë të drejtën e redaktimit dhe përmirësimit të shkrimeve që u dërgohen për botim dhe nuk pranojnë kushte të vëna nga artikullshkrues të ndryshëm. Redaktimet në përmbajtjen e shkrimit bëhen me miratimin paraprak të artikullshkruesit.
Drejtimi i redaksisë ndiqet nga drejtori i drejtorisë.