KRYETARI I KOMUNITETIT MYSLIMAN
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në të gjithë veprimtatinë e tij si person juridik, përfaqësohet nga Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili është përfaqësues ligjor i tij.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zgjidhet nga Këshilli i Përgjithshëm në bazë të procedurave dhe kritereve të përcaktuara në nenin 26 të Statutit të KMSH.
Kryetari i Komunitetit Mysliman është drejtuesi kryesor dhe përfaqëson Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në të gjitha veprimtaritë fetare brenda dhe jashtë vendit, në marrëdhëniet zyrtare me organet shtetërore dhe gjyqësore.
Biografia e kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiut
Bujar Spahiu ka lindur më 26 shkurt 1976 në Kukës.
Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në Shkollën “Lidhja e Prizrenit në Kolesjan, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992.
Kështu më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi.
Më pas ai kreu studimet Teologjike universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez’herit në Egjipt në vitin 2003 në fushën e Tefsirit (interpretimi i Kuranit).
H. Bujar Spahiu ka një kontribut të gjatë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku ka shërbyer si drejtor në Drejtorinë e Arsimit në KMSH nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe nga vitit 2009 deri në vitin 2019 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit në këtë institucion.
H. Bujar Spahiu ka marrë pjesë dhe ka përfaqësuar Komunitetin Mysliman në shumë takime të rëndësishme, organizime të ndryshme, konferenca, simpoziume, etj.
Gjithashtu Spahiu ka qenë i angazhuar në mësimdhënie në universitet dhe medresetë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fushën e specializimit të tij.
Z. Spahiu është i martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.