Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rastin e Muajit të Bekuar të Ramazanit dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ka shtruar iftar në burgun e Vaqarrit.
I pranishëm në këtë iftar ishte kryevaizi i KMSH-së, z. Lauren Luli si dhe punonjësja sociale e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve znj. Myfarete Laze. Ata u pritën nga punonjësit e burgut dhe së bashku organizuan iftarin për të gjithë personat me liri të kufizuar, që vuajnë dënimin në këtë institucion.
Kryevaizi përshëndeti të pranishmit, duke i uruar muajin e Ramazanit, si dhe duke përmendur rëndësinë e dashurisë dhe harmonisë mes njerëzve gjatë ketij muaji të bekuar.
“Muaji i Ramazanit është muaji i mëshirës, dashurisë dhe shpërblimit. Le të përfitojmë sa më shumë nga ky muaj për të qenë sa më afër Zotit. Le të jetë ky muaj, një muaj reflektimi dhe udhëzimi”, tha ndër të tjera z. Luli.
Prej disa vitesh Komuniteti Mysliman zhvillon takime dhe aktivitete të ndryshme, sidomos në muajin e Ramazanit dhe nëpër Bajrame, ku nëpërmjet punonjësve të saj, myftinjve dhe imamëve, mundohet t’i gjendet pranë kësaj pjese të shoqërisë, për t’i shërbyer atyre në forcimin e besimit tek Zoti, si një element bazë dhe më efektivi për t’ia risjellë shoqërisë të gatshëm të integrohen në jetë, pasi të kenë kryer detyrimin ndaj ligjit.