Në kuadër të projekteve humanitare të shumta në mbarë vendin, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me mbështetjen e organizatave “Swiss Barakah Charity” me qendër në Zvicër dhe “Marionnaud” me qendër në Francë, dhuruan 4 pajisje eko-skaner (në gjendje optimale pune) dhe më shumë se 40 mijë maska të cilësisë së parë, për spitalet publike dhe stafet përkatëse në Elbasan, Cërrik, Gramsh, Dimal (Ura Vajgurore).

“Institucionet shëndetësore janë vatra të jetës dhe sakrificave të mëdha dhe për hir të saj edhe ne besimtarët myslimanë e dimë shumë mirë dhe e vlerësojmë lart rolin e të gjithë punonjësve nëpër këto institucione kaq jetike për të gjithë shoqërinë.” – u shpreh Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, h. Bujar Spahiu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të këtyre pajisjeve në ambientet e spitalit rajonal të Elbasanit.

Në këtë ceremoni gjithashtu ishin të pranishëm Myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka, Myftiu i Peqinit, z. Armand Islami, Myftiu i Gramshit dhe njëkohësisht koordinatori i këtij projekti, z. Ermir Gjana, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, z. Andis Salla, Kryetari i Bashkisë së Gramshit, z. Klodian Taçe, si dhe drejtorët e spitaleve përfituese.

Në fjalën e tyre, krerët e institucioneve vendore të këtyre rretheve, shprehën falenderimet e tyre për institucionin e KMSH-së që bëri të mundur koordinimin e këtij projekti dhe dy organizatat ndërkombëtare që dhuruan pajisjet.

Pas ceremonisë së dorëzimit, këto pajisje u shpërndanë në spitalet e sipërpërmendura ku u morën në dorëzim nga stafet përkatësë për t’u vënë në shërbim të qytetarëve.

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë