Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në ceremoninë e vlerësimit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” nga
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Dekorata e lartë “Nderi i Kombit”, u dha me motivacionin:
“Në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri. Për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare”.
Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta vlerësoi në fjalën e tij rolin e liderëve fetarë në vend dhe rëndësinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
“Harmonia shpirtërore, kulturore e fetare e popullit tonë është e lidhur me tiparet më të mira të Tij, me besimin ndaj Zotit, si dhe dashurinë për lirinë e fjalës, të besimit dhe të mendimit.
Përgjatë gjithë historisë së tyre besimtarët shqiptarë, kanë bashkëjetuar jo vetëm në festa e trishtime, por edhe në të gjitha betejat për liri, për pavarësi si dhe në momentet më të shënuara të kombit tonë.
Shpata e diktaturës do të binte njëlloj e pamëshirshme mbi të gjithë prijësit e institucioneve të besimeve, duke vendosur njëkohësisht kazmët edhe mbi xhamitë, kishat e teqetë.
Ndaj ringritja e objekteve të kultit, 30 vite më parë pas ndalimit brutal e të pashembullt 23 vjeçar të besimit, i parapriu edhe Lëvizjes së Dhjetorit ‘90 dhe i bashkoi sërish shqiptarët e të gjitha besimeve për rrëzimin e diktaturës.”, u shpreh Presidenti Meta në fjalën e tij.
Më poshtë fjala e Kryetarit Spahiu mbajtur në ceremoninë e rastit:
I nderuar President i Republikës z. Ilir Meta, të nderuar vllezërit e mi, krerë të komuniteteve fetare të Shqipërisë, gazetarë të pranishëm, miq.
Falënderoj Presidentin Meta që na mblodhi sëbashku për të dekoruar Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është historia jonë e përbashkët, është shembulli që vendi ynë i jep botës në aspektin e lirisë së besimit të gjithësecilit, si dhe kultura jonë e harmonisë dhe dialogut ndërfetar.
Gjej rastin të kujtoj, sot, tre nga katër firmëtarët e parë të këshillit, të cilët nuk ndodhen më midis nesh, Haxhi Selim Muçën, H. Dede Reshat Bardhin dhe Monsinjor Rrok Mirdita.
Zoti i pastë mëshiruar!
Këshilli Ndërfetarë i Shqipërisë është institucionalizimi i harmonisë fetare në vendin tonë, është diçka unike nga e cila edhe vende shumë të përparuara mund të marrin shembull.
E çmoj shumë nismën e Presidetit të Republikës, z. Ilir Meta, si përfaqësuesi më i lartë i shtetit, si simboli i unifikimit të kombit tonë, për dekorimin e “Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë”.
Kjo nismë është një mesazh i fortë për unifikimin, bashkimin dhe prosperitetin aq të domosdoshëm për vendin tonë.
Ne jemi të angazhuar të gjithë si krerë të komuniteteve fetare ta ruajmë dhe ta çojmë më tej këtë traditë të mirë.
Zoti e bekoftë vendin tonë të dashur!

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2024 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë