Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, priti sot në një takim një delegacion nga Komuniteti Mysliman i Turqisë (DIJANET), i kryesuar nga kreu i këtij institucioni, Prof. Dr. Mehemet Gormez.
Kryetari Muça falënderoi delegacionin turk, për këtë vizitë, e cila përkon edhe me natën e shënuar Regaib dhe i uroi atyre qëndrim të mbarë në Shqipëri.
Më pas z. Muça e njohu homologun e tij me funksionimin dhe organizimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe me aktivitetet e shumta të organizuara nga ky institucion. Kryetari Muça gjithashtu e njohu z. Gormez me sistemin arsimor fetar në Shqipëri dhe Universitetin Bedër, që sipas tij radhiten ndër shkollat më të mira në vend.
Nga ana e tij Kryetari i DIJANETIT turk e falënderoi z. Muça për mikpritjen e ngrohtë që e bëri të ndjehet si në vendin e tij, pasi siç tha ai populli shqiptar dhe ai turk janë një popull mik me tradita e kultura pak a shumë të njëjta.
Gjithashtu z. Gormes uroi kreun Muça për udhëheqjen dhe drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, vlerësoi bashkëpunimin mes KMSH-DIJANET në këto 20 vite dhe shprehu dëshirën që marrëdhëniet mes këtyre dy institucioneve të intensifikohen edhe më tej.
Në përfundim të takimit Kryetari i KMSH-së i dhuroi z. Gormez një panoramë të xhamisë së Ethem Beut, simbol të myslimanëve shqiptar dhe qytetit të Tiranës si dhe një suvenir të kullës së sahatit të kryeqytetit.
Delegacioni Turk ka mbërritur paraditen e sotme në Shqipëri me ftesë të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në kuadër të organizimit të Konferencës së 6-të të Kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit e cila organizohet në datat 17-19 Maj 2013 në Tiranë, me temë “Roli i Islamit dhe përfaqësuesve të fesë në zgjidhjen e problemeve sociale dhe shpirtërore”.
16 Maj 2013