Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu priti në një takim kryetarin e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, z. Ylli Doçi.
Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë i uroi kreut të KMSH-së suksese e mbarësi në udhëheqjen dhe drejtimin e Komunitet Mysliman të Shqipërisë.
Z. Doçi vlerësoi punën e deritanishme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në ruajtjen dhe forcimin e harmonisë dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri, theksoi bashkëpunimin e ngushtë, si dhe shprehu gadishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve të mëtejshme.
Kryetari i KMSH-së z. Spahiu, pasi e falënderoi për vizitën dhe urimin, u shpreh i gatshëm për ta vazhduar më tej frymën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të tjera fetare në të mirë të shoqërisë në të cilën jetojmë.
Bashkëbisedimi ndërmjet tyre vazhdoi më tej duke prekur një sërë tematikash të ndryshme të aktualitetit në vendin tonë.